Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paraqiti të martën përbërjen e re të Komisionit Evropian, e cila do të ketë mandat pesëvjeçar.
Postin e komisionares për zgjerim, ajo ka vendosur t’ia ndajë kandidates nga Sllovenia, Marta Kos.
Por, ajo do të emërohet zyrtarisht vetëm nëse merr mbështetjen e Parlamentit të Sllovenisë dhe të Parlamentit Evropian.
Kos nuk është nominuar formalisht nga vendi i saj.
Portofoli i zgjerimit ka rëndësi të veçantë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, sepse të gjashtë vendet e tij, plus Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia dhe Turqia, janë në proces të zgjerimit.
Me përjashtim të Kosovës, të gjitha janë vende kandidate, e disa edhe në negociata për anëtarësim.
Kandidatura e Kosit ka shkaktuar kundërthënie në Slloveni, pasi opozita nuk dëshiron ta mbështesë e as të caktojë seancë dëgjimore në Komisionin përkatës parlamentar.
Autoritetet sllovene kanë ndërruar në momentin e fundit kandidatin e tyre, për t’i ndihmuar von der Leyenit të rriste numrin e grave në Komision, pasi ishte më pak se një e treta.
Megjithatë, kërkesa e von der Leyenit u pa nga disa si ndërhyrje në sovranitetin e një vendi anëtar të BE-së.
Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane të Parlamentit të Sllovenisë, Franc Breznik, i cili vjen nga opozita, ka refuzuar ta vendosë në rend dite konfirmimin e Kosit.
Për pasojë, von der Leyen nuk ka mundur ta propozonte Komisionin e ri më 10 shtator, kur ka qenë e planifikuar, por e ka shtyrë për 17 shtator.
Ajo e ka bërë tani këtë propozim, me pritjet që edhe Sllovenia ta përfundojë ndërkohë procedurën e saj.
Opozita në Slloveni ka akuzuar Kosin se ka qenë bashkëpunëtore e shërbimit sekret komunist të ish-Jugosllavisë.
Kos ka qenë ambasadore e Sllovenisë në Gjermani dhe në Zvicër.
Më herët ka punuar edhe në Qeverinë e Sllovenisë si drejtore për raportet me mediat.
Sipas traktateve të BE-së, secili vend anëtar ka të drejtë të ketë një komisionar. Për rrjedhojë, Komisioni Evropian ka po aq anëtarë sa ka edhe vende anëtare, përkatësisht 27.
Von der Leyen ka përsëritur disa herë se, gjatë mandatit të ardhshëm 5-vjeçar, do ta ketë prioritet zgjerimin e BE-së. /REL/