Organizata e ndihmës Mjekët pa Kufij njoftoi se është detyruar t’i ndërpresë operacionet e saj në Rusi.
“Me keqardhje duhet t’i ndalojmë aktivitetet tona në Rusi”, tha organizata me bazë në Zvicër.
“Puna jonë udhëhiqet nga parimet e pavarësisë, paanshmërisë dhe neutralitetit, si dhe etikës mjekësore. Ne ofrojmë ndihmë në bazë të nevojave”, shtoi ajo.
Mjekët pa Kufij kanë qenë në Rusi që nga viti 1992.
Por, ata thanë se janë njoftuar nga Ministria e Drejtësisë e Rusisë në gusht se zyra e tyre është hequr nga regjistri i organizatave joqeveritare.
Gjatë veprimtarisë në këtë vend, ata kanë qenë aktivë në rajonet e Moskës, Shën Petersburgut, Çeçenisë, Ingushetisë, Dagestanit e të tjera.
Ata janë përqendruar në trajtimin dhe parandalimin e tuberkulozit, HIV-it dhe sëmundjeve të tjera infektive, si dhe në punën me grupet e rrezikuara, përfshirë imigrantët.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Mjekët pa Kufij kanë ofruar ndihmë mjekësore dhe humanitare për refugjatët nga Ukraina, si dhe për rusët që kanë lëvizur nga zonat kufitare në rajone më të sigurta të Rusisë./REL