Një sulm me dronë nga Ukraina ka shkaktuar një zjarr dhe ka detyruar evakuimin e pjesshëm të banorëve në qytezën e Toropetsit, në pjesën perëndimore të rajonit Tver në Rusi, bënë të ditur autoritetet rajonale të mërkurën.
Zjarrfikësit u angazhuan në shuarjen e zjarrit, tha Igor Rudenya, guvernator i rajonit që ndodhet në veriperëndim të Moskës, përmes një postimi në kanalin e administratës së rajonit në platformën Telegram. Ai nuk ka bërë të ditur se kë e ka kapluar zjarri.
Sipas një raporti të publikuar më 2018 nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA, Rusia po ndërtonte një magazinë për ruajtjen e raketave, municioneve dhe mjeteve të tjera shpërthyese në Toropets, një qytezë 1000-vjeçare, me popullsi prej rreth 11.000 banorësh.
Nuk është njoftuar për viktima si rezultat i sulmit të 18 shtatorit në Tver, raporton Reuters.
Shkollat dhe çerdhet kaluan në mësimdhënie online në distriktin e Zapadnovisnkit, në kufi me atë të Toropetsit, bëri të ditur administrata e distriktit në rrjetin social VKontakte.
Njësitet ruse të mbrojtjes ajrore kanë shkatërruar 54 dronë që Ukraina kishte nisur gjatë natës, për të sulmuar pesë rajone perëndimore të Rusisë, raportuan agjencitë shtetërore ruse të lajmeve, duke cituar një raport të Ministrisë ruse të Mbrojtjes.
Guvernatorët rajonalë nuk raportuan për dëme nga këto sulme.
Por, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk përmendi rajonin e Tverit, që ka rajonin e Moskës në kufirin e saj juglindor.
Raportimet nuk ka qenë e mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur, ndërsa as Ukraina nuk ka dalë me ndonjë njoftim.
Kievi ka thënë më parë se sulmet e saj në Rusi kanë për qëllim të godasin infrastrukturën ushtarake, energjetike dhe atë të transportit, të cilat janë të rëndësisë kyçe për luftën e Rusisë në Ukrainë.
Zyrtarët rusë rrallëherë japin hollësi për shkallën e plotë të dëmeve të shkaktuara nga sulmet ruse.
Teksa Ukraina ka rritur prodhimin e brendshëm të dronëve gjatë dy vjetëve të fundit, ajo ka shtuar sulmet ndaj territorit rus.
Sulmi më i madh ndonjëherë me dronë nga Ukraina goditi kryeqytetin rus në shtator, duke vrarë të paktën një person, teksa u dëmtuan shtëpi e u ndërprenë fluturime nga aeroportet e Moskës./REL