Kompania tajvaneze Gold Apollo ka thënë të mërkurën se ka autorizuar përdorimin e markës së saj në pejxherët që shpërthyen në Liban dhe në Siri, por se ato janë prodhuar nga një kompani tjetër, me bazë në Budapest.
Pejxherët – pajisje të telekomunikimit me valë – e përdorur nga grupi militant Hezbollah, i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shpërthyen pothuajse në të njëjtën kohë gjatë 17 shtatorit në Liban dhe në Siri, duke vrarë të paktën nëntë persona, përfshirë një vajzë 8 vjeçe, dhe duke plagosur rreth 3.000 njerëz.
Hezbollahu dhe qeveria libaneze kanë fajësuar Izraelin për atë që u duk të ketë qenë një sulm i sofistikuar nga largësia, raporton Associated Press.Pejxherët ishin prodhuar nga BAC Consulting KFT, me bazë në kryeqendrën e Hungarisë, sipas një komunikate të lëshuar më 18 shtator nga Gold Apollo.
“Sipas marrëveshjes së bashkëpunimit, ne autorizojmë BAC të përdorë markën tonë për shitjet e produkteve në rajone të caktuara, por dizajni dhe prodhimi i produkteve është përgjegjësi e BAC”, thuhet në komunikatë.
Kreu i Gold Apollo, Hsu Ching-kuang, u tha gazetarëve se kompania e tij ka pasur marrëveshje licencimi me BAC për tre vjetët e kaluar, por nuk ka ofruar dëshmi të kontratës.
Pejxherë të ekspozuar në një sallë takimesh në zyrat e kompanisë Gold Apollo, në Tajvan, më 18 shtator 2024.
Rreth orës 3:30 të së martës, sipas kohës lokale, teksa njerëzit po blinin në dyqane, po rrinin në kafene apo po ngisnin automjetet e tyre, pejxherët në duart apo në xhepat e tyre filluan të nxehen dhe pastaj shpërthyen – duke shkaktuar skena të përgjakshme dhe duke nxitur panik mes kalimtarëve.
Shumë prej viktimave u tha se janë pjesëtarë të Hezbollahut, por nuk u bë e qartë nëse pejxherët që shpërthyen ishin edhe në duar të joanëtarëve.Shpërthimet ndodhën kryesisht në zonat ku grupi ka prani të madhe, veçanërisht në një periferi jugore të Bejrutit dhe në rajonin Beka në lindje të Libanit, si dhe në Damask, sipas zyrtarëve libanezë të sigurisë dhe një zyrtari të Hezbollahut, i cili foli në kushte anonimiteti.
Hezbollahu, i cili akuzon Izraelin si përgjegjës për shpërthimet, ka thënë në mëngjesin e së mërkurës, nëpërmjet një komunikate, se do të vazhdojë kryerjen e sulmeve të zakonshme ndaj Izraelit “sikurse në ditët e fundit”, si pjesë e atij që e ka përshkruar si front mbështetës për aleatin e tij, Hamasin – po ashtu i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe nga Bashkimi Evropian – dhe për palestinezët në Gazë.
Izraeli dhe Hezbollahu buzë konfliktit që asnjëra palë s’e dëshiron
Hezbollahu nisi lëshimin e raketave drejt Izraelit më 8 tetor 2023, një ditë pasi një sulm vdekjeprurës i udhëhequr nga Hamasi në Izraelin jugor nxiti një kundërofensivë masive izraelite dhe luftën e vazhdueshme në Gazë.
Që atëherë, Hezbollahu dhe forcat izraelite kanë shkëmbyer sulme pothuajse çdo ditë, të cilat kanë shkaktuar vdekjen e qindra personave në Liban dhe të dhjetëra të tjerëve në Izrael, si dhe kanë çuar në zhvendosjen e dhjetëra mijëra njerëzve në të dyja anët e kufirit.