Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan tha të mërkurën se Turqia nuk do të ndalojë thellimin e lidhjeve me Lindjen, duke përfshirë grupin e kombeve BRICS dhe Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait (SCO), edhe pse ajo vazhdon të përballet me Perëndimin.
Duke folur në një ngjarje në Ankara, Erdogan tha se debatet mbi një “zhvendosje boshti” ishin të pabaza, por se Turqia duhej të përshtatej me “qendrat e reja të pushtetit” që formoheshin në fushat e ekonomisë, prodhimit dhe teknologjisë, duke e mbajtur veten të hapur ndaj mundësive, shkruan Reuters.
“Kjo është qasja që qëndron pas vullnetit të vendit tonë për të zgjeruar bazën e dialogut me të gjithë ata, nga Organizata e Bashkëpunimit të Shangait te BRICS dhe ASEAN”, theksoi Erdogan.
Turqia, një anëtare e NATO-s, në muajt e fundit ka shprehur interes për t’u bashkuar me grupet BRICS dhe SCO, të cilat përfshijnë Kinën dhe Rusinë.
Kjo ka nxitur frikën e SHBA-së dhe Evropës se Turqia mund të jetë duke u larguar nga orientimi i saj gjeopolitik tradicional perëndimor, pavarësisht mohimeve të përsëritura nga Ankaraja.