Të paktën dy civilë u qëlluan për vdekje në përleshjet e reja midis vendasve të Kaledonisë së Re dhe forcave franceze të sigurisë.
Përleshjet e reja shpërthyen mbrëmë kur forcat e policisë u përpoqën të hynin në fshatin Saint Louis pranë kryeqytetit Noumea, njoftuan mediat lokale.
Me këtë, numri total i vrasjeve në Kaledoninë e Re u rrit 13, përfshirë dy pjesëtarë të sigurisë, që kur dhuna filloi në maj.
Policia njoftoi se po zhvillonte një mision për të “arrestuar dhe marrë në pyetje disa individë të kërkuar dhe të dyshuar si të implikuar në vepra kriminale”. Në koloninë franceze janë shënuar trazira masive për shkak të një reforme zgjedhore e cila u mundëson pjesëmarrje në zgjedhjet lokale banorëve francezë që qëndrojnë për një afat më të gjatë.
Franca shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe vendosi forca shtesë për të ndihmuar në rivendosjen e rendit ndërsa ka shpallur edhe orë policore për të penguar çdo kryengritje.
Mes përpjekjeve për dialog, presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi më 12 qershor pezullimin e planit shumë të kontestuar të reformës zgjedhore në Kaledoninë e Re.
Projektligji, i cili ka shkaktuar dhunë të gjerë që nga 13 maji, do t’u jepte të drejtën e votës në zgjedhjet lokale shtetasve francezë që kanë banuar në ishull për të paktën 10 vjet.
Ky propozim është pritur me kundërshtim të fuqishëm nga popullsia vendase e Kanakëve, të cilët druajnë se ndryshime të tilla do të zvogëlojnë ndikimin e tyre elektoral.