Gjermani, kontrollet në kufij pasqyrojnë shqetësimin mbi emigracionin para zgjedhjeve

Evropë

Gjermani, kontrollet në kufij pasqyrojnë shqetësimin mbi emigracionin para zgjedhjeve

Më: 19 shtator 2024 Në ora: 19:51
Foto ilustrim

Gjermania ka zgjeruar kontrollet në pikat kufitare tokësore pas dy sulmeve me thikë që dyshohet se janë kryer nga emigrantët. Masat jane marrë në një kohë politikanë të djathtës së skajshme shënuan fitore të konsiderueshme në zgjedhjet rajonale të vendit. Korrespodenti i Zërit të Amerikës, Ricardo Marquina njofton mbi qëndrimet që kanë votueist para zgjedhjeve kyçe që pritet të mbahen në 22 shtator në landin verior të Gjermanisë, Branderburg.

Të hënën, Gjermania nisi kontrollet në pikat kufitare tokësore me Belgjikën, Danimarkën, Francën, Luksemburgun dhe Holandën. Zyrtarët gjermanë thonë se kontrollet janë pjesë e përpjekjeve për të ndaluar migrimin e paligjshëm pas dy sulmeve vdekjeprurëse me thikë gjatë këtij viti, që policia thotë se janë kryer nga emigrantë.

Analistët thonë se qeveria i mori këto masa për shkak të rritjes së trysnisë së opinionit publik.

“Emigracioni ka qenë prej vitesh një çështje e nxehtë, por vazhdon të jetë e tillë sepse shumë komunitete locale, në rajone besojnë se qeveria qëndrore në Berlin duhet të zbatojë një qasje të ndryshme kur bëhet fjalë për emigrantët”, thotë Markus Ziener nga Fondi Gjerman Marshall.

Gjermania forcoi kontrollet në kufijtë e saj me Austrinë, Çekinë, Poloninë dhe Zvicrën vitin e kaluar. Por masat e reja pasqyrojnë shqetësimet në rritje të votuesve. Partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë shënoi fitore në zgjedhjet e fundit në dy lande gjermane. Partia e ka lidhur rritjen e kriminalitetit me emigrantët, diçka që kundërshtohet nga autoritetet.

“Shumica e atyre që kanë sulmuar me thikë janë të huaj ose emigrantë nga vende si Afganistani dhe Siria dhe shumica kanë fituar statusin e azilantit ose janë këtu në mënyrë të jashtëligjshme dhe ata duhet të deportohen”, thotë deputeti i partisë Alternativa për Gjermaninë, Norbert Kleinwächter.

Policia gjermane i tha Zërit të Amerikës se nuk ka të dhëna në bazë kombësie mbi sulmet me thikë.

Krimi në Gjermani ka shënuar rritje. Të dhënat e policisë thonë se 41 përqind e të dyshuarve për krime në përgjithësi ishin të huaj dhe krimi i dhunshëm u rrit me më shumë se 8 për qind në vitin 2023, duke arritur nivelin më të lartë në 15 vjet.

Politikanët e moderuar e pranojnë problemin, por akuzojnë AfD-në se po i kriminalizon të gjithë emigrantët për përfitime politike.

“Ajo që na mungon në Gjermani është një diskutim pozitiv mbi shoqërinë tonë. Se si mund të ecim përpara si shoqëri? Si mund të ndërtojmë një sens të ri bashkësie këtu në Gjermani? Besoj se emigrantët janë pjesë e kësaj, por aktualisht kjo nuk po ndodh. Diskutimi mbi frikën ndaj emigrantëve I ka zënë vendin debatit se kush duam të jemi dhe si mund të jetojmë së bashku?”, thotë Mathias Ecke nga partia Social Demokrate e qendrës së majtë.

Zgjedhjet e 22 shtatorit në Brandenburg do të pasqyrojnë ndjenjat mes njerëzve në vetëm një pjesë të vendit. Por ato po ashtu mund të jenë një sinjalizues se si shumica e Gjermanisë do të votojë në zgjedhjet e përgjithshme vitin tjetër dhe po ashtu mund të përcaktojnë se si do jetë politika mbi emigracionin në të ardhmen./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat