Von der Leyen me vizitë në Kiev për të premtuar fonde për rrjetin e dëmtuar të energjisë së Ukrainës

Evropë

Von der Leyen me vizitë në Kiev për të premtuar fonde për rrjetin e dëmtuar të energjisë së Ukrainës

Më: 20 shtator 2024 Në ora: 11:48
Foto nga vendi i ngjarjes

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka mbërritur në Kiev për të premtuar fonde për rrjetin e dëmtuar të energjisë së Ukrainës, duke i shfrytëzuar pjesërisht asetet e ngrira ruse.

Ukrainasit po përballen me ndërprerje të energjisë elektrike dhe një dimër të pasigurt përpara, me Rusinë që vazhdon të synojë infrastrukturën kryesore civile – duke përfshirë termocentralet jetike, dëmtimi i të cilave lë vendin pa energji.

Së fundmi, Komisioni Evropian premtoi një shtesë prej 160 milionë eurosh për të ndihmuar në forcimin e rrjetit energjetik të Ukrainës, me 100 milionë euro nga ato të mbledhura nga fitimet e papritura që BE-ja ka fituar nga interesat për asetet e ngrira ruse.

Ndërkohë, 60 milionë euro të tjera janë zotuar për ndihmë humanitare për civilët e detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre nga sulmet ajrore ruse.

Bëhet e ditur se Rusia ka përshkallëzuar sulmet në të gjithë Ukrainën në përgjigje të ofensivës së papritur të ushtrisë ukrainase në rajonin e Kurskut.

Edhe para një valë të re sulmesh, më shumë se dy të tretat e kapacitetit të prodhimit të energjisë elektrike të Ukrainës para luftës u shkatërruan, u dëmtuan ose ishin nën okupim, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.

“Vizita ime e 8-të në Kiev vjen në një moment vendimtar. Sezoni i ngrohjes fillon pas dy javësh dhe sulmet e pamëshirshme të Rusisë ndaj infrastrukturës civile të energjisë të Ukrainës synojnë të shkaktojnë dëme maksimale”, tha von der Leyen.

Ne do ta ndihmojmë Ukrainën në përpjekjet e saj të guximshme për ta kapërcyer këtë”, shtoi ajo.

Ndryshe, von der Leyen do të kërkojë gjithashtu një përditësim nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, mbi përpjekjet e Ukrainës për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat