Portugalia ka shpallur ditë zie kombëtare për shkak të zjarreve pyjore që po vazhdojnë në vend që prej 14 shtatorit dhe që kanë shkaktuar vdekjen e shtatë personave, transmeton Anadolu.
Siç njoftohet, zona e djegur deri më tani në Portugali, e cila përjetoi ndër zjarret pyjore më të mëdha në historinë e vendit, është e barabartë me një sipërfaqe 10 herë më të madhe se kryeqyteti Lisbonë.
Zjarret kanë përfshirë veçanërisht rajonin verior të vendit dhe kanë shkatërruar më shumë se 120 mijë hektarë sipërfaqe pyjore, ndërsa janë vënë nën kontroll me ndërhyrjet e ekipeve dhe me fillimin e reshjeve.
Dita e zisë kombëtare është shpallur për sot, ndërkohë që më 17 shtator ishte shpallur gjendje e fatkeqësisë për shkak të zjarreve.
Flamujt në vend u ulën në gjysmështizë për shkak të zisë.
Në hetimet e kryera në lidhje me zjarret që shkaktuan vdekjen e shtatë personave dhe lëndimin e rreth 160 të tjerëve, deri më tani janë ndaluar pesë persona.
Qindra persona kanë mbetur të pastrehë dhe mijëra automjete janë shkrumbuar si pasojë e zjarreve që po ashtu kanë shkatërruar plotësisht disa fshatra në vendbanimet veriore të vendit, si Averio, Vila Real, Braga, Viseu dhe Coimbra.
Agjencia Kombëtare e Emergjencave dhe Mbrojtjes Civile e Portugalisë njoftoi se zjarret janë nën kontroll, megjithëse ato ende vazhdojnë në afro 30 pika.