Në provincën italiane të Emilia-Romagna, e cila u godit nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut, vijojnë kërkimet për dy personat që u raportuan të zhdukur pranë qytetit të Ravenës.
Pothuajse 1,500 banorë janë evakuuar nga qyteti i Banjakavalit dhe një paralajmërim i kuq është në fuqi për kushtet ekstreme të motit që ndoshta do të zgjasin deri në mbrëmjen e sotme, njoftuan autoritetet lokale, siç raporton Ansa.
Bolonja, Cesena, Forli, Ravenna dhe Rimini ishin më të goditurat nga përmbytjet dhe pati edhe rrëshqitje të shumta dheu. Shkollat janë ende të mbyllura në zonën e Ravenës dhe në disa zona përreth Forli-Cesena.
Në maj 2023, Emilia-Romagna u godit nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut të lidhura me reshjet që vranë 17 njerëz dhe shkaktuan disa miliardë euro dëme.
Shumë zona që u përmbytën dje për shkak të shiut të dendur janë prekur tashmë nga përmbytjet në vitin 2023. Ndërkohë, reshje të dendura shiu kanë goditur edhe rajonin Marche, veçanërisht qytetin e Ankonës, ku lumi ka dalë nga shtrati.
Në Toskanë, pjesa veriore e zonës Mugello është në alarm pasi disa rrugë provinciale u mbyllën dje për shkak të rrëshqitjeve të dheut të shkaktuara nga shirat e dendur.