Zgjedhje në Brandenburg - Politikanja kundër ekstremistëve

Evropë

Zgjedhje në Brandenburg - Politikanja kundër ekstremistëve

Më: 21 shtator 2024 Në ora: 09:23
Politikanja e CDU-së Adeline Abimnwi Awemo është kandidatja e vetme me ngjyrë në rajonin Lusatia të Brandenburgut.

Në landin gjerman, Bradenburg të dielën (22.09.) votohet. Partia e ekstremit të djathtë, AfD ka shënuar rritje dhe konkurron SPD. A mundet politikanja e lindur në Kamerun Adeline Abimnwi Awemo të ketë ndikim kundër AfD?

Rrugët e Cottbus, një qytet në Gjermaninë Lindore që shpesh është në fokus të lajmeve për sulme raciste apo ekstremizmin e djathtë, janë të mbushura me pankarta zgjedhore që paraqesin një grua me ngjyrë të buzëqeshur, me mbishkrimin  "Miteinander", që nga gjermanishtja do të thotë "së bashku" ose "me njëri-tjetrin".

Politikanja me origjinë nga Kameruni, Adeline Abimnwi Awemo, pjesë e Unionit Kristiandemokrat (CDU), është e vetmja kandidate me ngjyrë në rajonin e Lusatia (Lausitz) për parlamentin shtetëror të Brandenburgut në zgjedhjet e 22 shtatorit.

Votuesit e Gjermanisë Lindore i janë kthyer gjithmonë e më shumë partive populiste viteve të fundit, duke krijuar një situatë të vështirë edhe për partitë e qendrës së djathtë si CDU, e cila është në një kualicion shtetëror me Partinë Socialdemokrate (SPD) dhe Partinë e Gjelbër. Një sondazh i fundit në Bradenburg tregon se partia e Awemos po zbret në vendin e tretë me 18%, pas Socialdemokratëve me 23%. Por, më shumë se një e katërta e votuesve në Brandenburg synojnë të votojnë për "Alternativën për Gjermaninë" (AfD) sipas anketuesëve të Infratest Dimap.

"Jam e shqetësuar, por nuk kam frikë", tha ajo për DW. "Ka një ndryshim nga frika dhe shqetësimi. Kur je e shqetësuar, mund të gjesh zgjidhje." Ky është edhe slogani i saj, "Miteinander”, shpjegon Awemo. "Thjesht duhesh te nisësh një bisedë, dhe mbase do të mund të bindësh dikë që ke një ide më të mirë dhe mund ta përfaqësosh këtë person".

Rrugë e gjatë - përballje me racizmin

Jo të gjithë janë të hapur të flasin. Në korrik, thuhet se një grua është shprehur në mënyrë raciste kundër Awemos, gjatë kohës që ajo po vendoste pankarta zgjedhore. Gruaja më pas dyshohet të ketë sulmuar fizikisht Awemon pasi ajo u mundua që të fillonte një bisedë me personin. Më vone, kandidatja e CDU-së u dërgua në spital për të trajtuar lëndimet. "Ishte tronditëse që dicka e tillë mund të ndodhë, sepse unë nuk kam përjetuar asnjë lloj racizmi në 22 vitet e mia këtu në Cottbus" tha ajo.

Toni ndryshon kur ajo flet për incidentin. Ajo tingëllon e lodhur, dhe nuk dëshiron të flasë për incidentit. "Sulmi që më ndodhi mua mund t'i ndodhë kujtdo” tha ajo. "Por nuk duhet anashkaluar ana pozitive e Cottbusit".

Incidenti, i cili solli emrin e kandidates në qendrën e vemendjes së mediave, nuk është i pazakontë për Cottbus, qytetin me reputacion si një bastion i krahut të ekstremit të djathtë. Megjithatë, qyteti ka ndryshuar jetën e kandidatës nga radhët e CDU-së. Asaj i është dashur të informojë policinë për fushatat e saj, dhe ndonjëherë merr edhe mbrojtje shtesë. Por, Awemo ende flet me ngrohtësi për qytetin e saj të ri.

Gjetja e një komuniteti në Cottbus

Awemo lindi në Kumba, një qytet në rajonin anglofon të Kamerunit. Ajo u zhvendos në Cottbus në 2002 për të studiuar në Universitetin e Teknologjisë në Brandenburg.

Në fillim ajo ndihej si e huaj në qytet. Duke u kujtuar, ajo kujton se si ndiqte meshën ne kishën katolike pa kuptuar asnje fjalë gjermanisht dhe "vetëm duke buzëqeshur".

"Të gjithë në kishë më propozuan ide të ndryshme dhe u munduan t'i ndanin me mua," tha ajo. "Unë kurrë nuk kam ndjerkur ndonjë kurs për gjuhën gjermane. Gjermanishtja që flas sot e mësova nga qytetarët e Cottbus".

Ajo tani e sheh vetën si qytetare të Cottbusit, që mori ndihmë nga komuniteti në secilën pikë të jetës, në nisjen e familjes dhe karierës së saj. Kjo është arsyeja pse Awemo dëshiron t'ia shpërblejë qytetit. Ajo beson që eksperienca e saj si migrante do të ofronte shumë, sidomos në një kohë kur migrimi është temë tejet e rëndësishme në Gjermani.

Awemo thotë se ajo është në favor të një migrimi të targetuar. "Nëse po kërkojmë profesionistë dhe njerëz që të vijnë këtu, për shembull, shtëpiakë, marangozë, mjekë apo infermierë, duhet të sigurohemi që ata të mund të punojnë sa më shpejtë që të jetë e mundur"

"Këta njerëz duhet të jenë në shënjestër kur bëhet fjalë për të mësuar gjermanishten gjithashtu" shtoi ajo.

AfD është "goditje" për partitë e etabluara

Debati publik mbi migracionin vlerësohet që ndihmuar rritjen e fundit të AfD-së dhe nxitjen e popullaritetit për Aleancën e majtë populliste Sahra Wagenknecht (BSW), e njohur për retorikën kundër migrimit. Të dyja partitë, e sidomos AfD, kishin fitore të rëndësishme në zgjedhjet e fundit shtetërore në Gjermaninë Lindore. AfD fitoi mbështetjen më të madhe në Tyringi dhe përfundoi e dyta në Saksoni, ndërsa BSW përfundoi e treta në të dy shtetet.

Në Cottbus, ku Awemo kandidon kundër politikanit aktual të AfD-së, Lars Schieske, njerëzit besojnë se shpenzimet e Gjermanisë në ndihma për refugjatë dhe Ukrainë duhet të përqëndrohen tek njerëzit dhe komunitetet e tyre brenda Gjermanisë. "Gjermania po ndihmon vetëm të huajt. Dhe brenda në Gjermani nuk po ndodh asgjë”, tha Alex, një burrë rreth të 20-ave.

"Popullariteti i AfD-së është një goditje për partitë e etabluara. Unë nuk jam dakord me politikën e [koalicionit qeveritar shën.red.] dhe partive tradicionale,” thotë një pensionist, duke iu referuar qeverisë federale, e cila është e përbërë nga politikanët Socialdemokratë, Partisë së Gjelbër dhe FDP-së.

Awemo e kupton zhgjënjimin që kanë votuesit. Kur DW foli me të, ajo po bënte fushatë para supermarketit Lidl, në një zonë të quajtur Sachsendorg, një lagje me probleme shoqërore që është pjesë e zonës, ku kandidon Awemo.

Ajo është vetëm pak hapa larg pallateve prej betoni, ku dikur jetonin doktorët, inxhinierët dhe punëtorët e fushave të ndryshme gjatë regjimit komunist në Gjermaninë Lindore (GDR). Sot, këto ndërtesa strehojnë persona me ndihmë sociale, pensionistë dhe refugjatë. Ata që kishin mundësinë të largoheshin janë larguar. "Kishte shumë pritshmëri që nuk janë mbushur ende,” shpjegon Awemo. "Dhe në këtë rajon, ekziston pasiguria e ndërprerjes së përdorimit të qymyrit”.

Fokusimi në mesazh

Cottbus, rreth 120 kilometra në lindje të Berlinit, është qytetit më i madh në Lusatia, rajoni më i rëndësishëm i qymyrit dhe prodhimit të energjisë në regjimin komunist në Gjermaninë Lindore. Sot, një nga zonat më të varfra në Gjermani dhe merr qindra miliona për të mbështetur largimin nga konsumi i lëndëve fosile.

Në qershor, kancelari gjerman Olaf Scholz ishte në këtë rajon për themelimin e Klinikës Universitare Lusatia, i cili do të jetë spitali më i madh universitar në Bradenburg. Kjo është vizita e tij e dytë në Bradenburg këtë vit – ku në janar mori pjesë në inagurimin e një fabrike të re, ndërsa fermerët organizuan një protestë anti-qeveritare.

Awemo fokusohet në këto mundësi të reja në mesazhin e fushatës së saj për ta bërë Cottbusin më tërheqës për vendasit dhe të ardhurit. "Do të ketë një treg të madh pune që do t'i lejojë njerëzit të punojnë, në mënyrë që ata të bashkëjetojnë me njëri-tjetrin” shpjegon ajo. Po në këtë pasdite jashtëzakonisht të nxehtë dhe të lagësht shtatori, Awemo nuk ka arritur të fillojë shumë biseda me votues potencial para Lidl. Ajo është tejet e angazhuar deri sa votuesit shkojnë drejt qendrave të votimit në 22 shtator./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat