Momente paniku janë regjistruar në bordin e një aeroplani të linjës ajrore britanike ‘Easyjet,’ kur udhëtarëve iu është dashur të evakuohen pas një shpërthimi në bord gjatë fluturimit. Një çantë me disa cigare elektronike ka shpërthyer duke marrë flakë, çka e ka detyruar ekuipazhin të bëjë evakuimin e emergjencës përmes rrëshqiteseve, pas një uljeje të detyruar.
Sipas ‘The Independent,’ Fluturimi me numër EZY 8261, i planifikuar të nisej nga aeroporti Heraklion i Kretës drejt Londrës, u detyrua të bënte një ulje emergjence në Greqi pasi kabina e aeroplanit nisi të mbushej me tym.
Pamjet e publikuara në mediat sociale tregojnë momentet kur pasagjerët, të tronditur, marrin sendet e tyre personale dhe iu drejtohen me nxitim daljeve të emergjencës.
Një emergjencë e ngjashme me të sotmen ndodhi para disa javësh në aeroportin e Gatwick në Londër kur mori zjarr një bateri e jashtme celulari duke shkaktuar panik dhe evakuim të pasagjerëve. Bart Prudon, drejtor operacionesh i EasyJet tha se evakuimi ndodhi sot prej një zjarri elektrik në një çantë në kabinën e pasagjerëve.
Pavarësisht incidentit, nuk raportohen të lënduar.