​Oktoberfest nis nën masa të shtuara sigurie

Evropë

​Oktoberfest nis nën masa të shtuara sigurie

Më: 21 shtator 2024 Në ora: 20:49
Oktoberfest

Oktoberfest i Munihut, festivali më i madh i birrës në botë, u hap sot me siguri të shtuar pas një sërë sulmesh në Gjermani.

Kryebashkiaku i Munihut Dieter Reiter përpara edicionit të 189-të të ngjarjes, i cili do të zgjasë deri më 6 tetor, hapi fuçinë e parë të birrës, duke shënuar edhe fillimin e Oktoberfest.

Oktoberfest, i konsideruar si festivali më i madh folklorik në botë, vitin e kaluar tërhoqi më shumë se shtatë milionë vizitorë që pinë 6.5 milionë litra birrë.

Masat e sigurisë janë shtuar këtë vit për shkak të një sërë sulmesh terroriste, duke përfshirë një sulm vdekjeprurës me thikë në Solingen muajin e kaluar.

Policia ka arrestuar një burrë sirian, i cili dyshohet se u bë anëtar i Shtetit Islamik para sulmit që vrau tre persona dhe plagosi tetë të tjerë.

Në fillim të këtij muaji, policia në Munih vrau një burrë pasi ai hapi zjarr ndaj tyre dhe konsullatës izraelite në qytet.

Shefi i policisë së Munihut, Christian Huber, i siguroi mysafirët që vinin në kryeqytetin bavarez se Oktoberfest është "festivali më i sigurt në Gjermani".

Përveç 600 oficerëve të policisë, qyteti do të vendosë 1500 roje sigurie për të përshpejtuar kalimin e vizitorëve përmes kontrolleve të hyrjes.

Për herë të parë, autoritetet do të vendosin detektorë metalikë përreth festivalit dhe do të monitorojnë ngjarjen përmes kamerave të sigurisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat