Shërbimi hungarez i zbulimit ka marrë disa herë në pyetje drejtoren e përgjithshme të kompanisë “BAC Consulting KFT”, e lidhur me shpërthimin gjatë kësaj jave të mjeteve të komunikimit, ‘pagers’ të përdorura nga Hezbollahu, njoftoi qeveria e Hungarisë së shtunën.
Kompania tajvaneze “Gold Apollo” tha të mërkurën se kishte autorizuar firmën “BAC Consulting KFT,” me bazë në Budapest të Hungarisë, që të përdorte markën e saj për prodhimin dhe shitjen e pajisjes ‘pager’ të modelit AR-924.
Cristiana Barsony-Arcidiacono, 49 vjeç, me shtetësi italiano-hungareze, e cila ka themeluar “BAC Consulting” i tha rrjetit NBC News këtë jave se pajisjet e komunikimit me mesazhe ‘pagers’ nuk ishin prodhuar nga kompania e saj dhe se ajo ishte thjesht “ndërmjetëse”.
Me herët, një nga shërbimet e zbulimit të Hungarisë, Zyra për Mbrojtjen Kushtetuese tha në një deklaratë se pajisjet që u përdorën për shpërthimet masive nuk janë prodhuar në territorin hungarez apo kanë hyrë në atë vend.
Zyra e Kryeministrit Viktor Orban tha më herët se kompania “BAC Consultin” ishte një “kompani tregtare ndërmjetësuese, e cila nuk kishte një qendër prodhimi apo ndonjë qendër tjetër operimi në Hungari”.
Gjatë sulmeve dyditore të martën dhe të mërkurën, kur shpërthyen mjetet e komunikimit ‘pager’ dhe radiot e dorës, pajisje që përdoren nga Hezbollahu, rreth 39 njerëz humbën jetën dhe u plagosën më shumë se 3 mijë të tjerë. Sulmet besohet gjerësisht se janë kryer nga Izraeli, por autoritetet izraelite nuk e kanë mohuar dhe as kanë konfirmuar përfshirjen./VOA