Çmimet e larta për studentët në Gjermani

Evropë

Çmimet e larta për studentët në Gjermani

Më: 24 shtator 2024 Në ora: 08:12
Foto ilustrim

Në Gjermani ka shumë pak konvikte studentore, ndërsa apartamentet janë gjithashtu të pakta dhe të shtrenjta. Gjendja është e keqe në veçanti në disa qytete.

Në Gjermani, pak më pak se 3 milionë studentë janë të regjistruar në universitete, kolegje dhe universitete për semestrin e ardhshëm. Ndërsa zgjidhja më e përshtatshme dhe më e lirë për vendbanime është një vend në konviktet studentore - që kushtojnë mesatarisht 280 euro në muaj për një student. Por në Gjermani ka vetëm rreth 200.000 vende në rreth 1.500 konvikte.

Apartamente të përbashkëta - një traditë e studentëve

Ndërkohë janë rritur shumë çmimet e apartamenteve të vogla të përshtatshme për studentët, e një problem shumë i madh është që as nuk mund të gjenden fare, për shkak të numrit të vogël. Ndaj shumë studentë në Gjermani vendosin të banojnë së bashku me studentë të tjerë, në apartamente më të mëdha dhe kështu ndajnë kostot në të ashtuquajturat WG (Wohngemeinschaft - pra një lloj bashkëbanimi).

Të gjithë kanë dhomën e tyre, ndërsa kuzhina, banjo dhe gjëra të tjera janë shpesh të përbashkëta. Të gjitha shpenzimet (qira, rrymë, ngrohje, internet) janë të përbashkëta, zakonisht në varësi të madhësisë së dhomës, mobiljeve, pajisjeve etjerë.

Banesat e këtilla përdoren nga studentët me vite, por nuk janë të rralla as rastet kur ndonjë prej këtyre personave vazhdon të jetojë aty edhe pas mbarimit të studimeve.

Shtrenjtimi i gjërave të shtrenjta

Për një dhomë të tillë në Gjermani paguhet mesatariht rreth 490 euro në muaj. Sipas agjencisë së lajmeve dpa, këto të thëna janë marrë nga një studim i Institutit Moses Mendelssohn, në bashkëpunim me platformën wg-gesucht.de, ku ka reklama për vende në apartamente të përbashkëta.

Për këtë studim u analizuan më shumë se 9000 oferta të postuara online në dy javët e fundit të gushtit. Janë marrë parasysh ofertat për të 88 qytetet universitare gjermane me më shumë se 5000 studentë.

Në vlerësim përfshihen vetëm ofertat për një dhomë në një apartament të përbashkët me gjithsej dy ose tre qiramarrës. Komunitetet e reja të banimit nuk janë marrë parasysh.

Sipas studimit, dhomat në apartamentet e përbashkëta në Mynih janë më të shtrenjtat. Çmimi mesatar i një dhome është 790 euro. Ata pasohen ngaFrankfurtime 680 euro, Berlini me 650 euro, Hamburgu me 620 euro dhe Këlni me 600 euro.

"Edhe një herë u tregua se ofertat relativisht të lira u hoqën nga interneti shumë shpejt. "Ata që morën konfirmimin se ishin pranuar për studime me vonesë ose që nuk mund të organizonin akomodimin në vend, për shembull për shkak se viza e tyre ende nuk ishte lëshuar, kalojnë situatat më të këqija edhe me vendbanimet”, thotë Stefan Braukmann, drejtues i këtij hulumtimi.

Kreditë e ulëta

Mathias Anbul, kryetar i bordit të Unionit Studentor Gjerman, komenton: "Çështja e strehimit ka qenë prej kohësh një çështje qendrore sociale në qytetet universitare. Ne po përjetojmë një formë të re përzgjedhjeje në shoqëri: Për shumë studentë, çështja e studimit në një universitet të caktuar varet nga fakti nëse ata mund të përballojnë edhe qiranë në këto qytete. Pavarësisht rritjes së kredisë studentore (BAföG), ajo mbetet prapa zhvillimit të tregut të imobilieve. Mesatarisht, një dhomë e përbashkët në Gjermani kushton 489 euro, ndërsa një kredi studentore ende paguhet me një tarifë banimi prej mesatarisht 380 euro. Me këto para, nuk mund të përballosh një dhomë në një apartament të përbashkët në shumicën e qyteteve”.

Shuma maksimale e kredisë studentore (BAföG) këtë vit është 992 euro – me kusht që studenti të mos jetojë me prindërit e tij dhe të mos marrë sigurim shëndetësor nëpërmjet tyre. Nëse jetojnë me prindërit, atëherë studentët marrin një kredi maksimale prej 664 euro.

Shumica e studentëve nuk mund të jetojnë me prindërit e tyre, sepse ata vijnë nga vende të tjera në Gjermani ose nga jashtë (rreth 400.000 studentë vijnë nga jashtë). E shumë prej tyre nuk duan të jetojnë më me familjen e tyre edhe pse qëndrojnë në të njëjtin qytet.

Një e treta e studentëve në Gjermani rrezikohen nga varfëria

Studentët paguajnë më shumë se gjysmën e të ardhurave të tyre vetëm për qira, siç treguan së fundmi të dhënat nga Zyra Federale e Statistikave (Destatis). Mesatarisht, studentët duhet të përdorin 54 për qind të të ardhurave të tyre për të paguar qiranë. Gjermanët zakonisht shpenzojnë mesatarisht 25 për qind për kostot e strehimit.

Sipas Destatis, dy të tretat e studentëve konsiderohen të mbingarkuar financiarisht. Kjo është një nga arsyet pse ata janë në rrezik më të madh nga varfëria sesa grupet e tjera të popullsisë.

Në përgjithësi, sipas informacioneve të Destatis, rreth 35 për qind e studentëve rrezikohen nga varfëria, ndërsa kjo është 14 për qind e të gjithë gjermanëve. Zyra Federale e Statistikave tregon me shifrat e saj nga viti 2023: Gjysma e studentëve kanë më pak se 867 euro në muaj. Shuma e ndihmës sociale në Gjermani (Bürgergeld) është shumë më e lartë.

Kredia studentore më e vogël se ndihmat sociale

Beqarët aktualisht marrin 563 euro në muaj si ndihmë sociale. Ata nuk duhet të paguajnë as sigurim shëndetësor, ndërsa atyre u paguhet edhe një apartament që mund të jetë maksimumi 50 metra katrorë - për shembull në Mynih deri në 849 euro, në Frankfurt 786 euro ose në Këln deri në 651 euro.

Një studente e mjekësisë në Berlin paraqiti një padi në Gjykatën Administrative disa vite më parë, sepse kreditë studentore janë "në mënyrë jokushtetuese" tepër të ulëta. Ajo pretendon se studentët që varen nga kreditë studentore duhet të marrin të njëjtën shumë si përfituesit e ndihmës sociale. Gjykata i dha të drejtë, por pezulloi procedurat për shkak të kompetencave dhe i rekomandoi që t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese Federale.

Një tjetër studente paraqiti një padi të ngjashme në vitin 2014. Gjykata Federale Administrative i rekomandoi që ajo t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Ende nuk është marrë një vendim për këtë çështje. Kredia studentore (BAföG) është në fakt gjysmë burse në Gjermani, sepse gjysma e kredisë pa interes duhet të kthehet pas përfundimit të studimeve, por siç thuhet në faqen e qeverisë: aktualisht maksimumi i parave që duhet të kthehen është 10.010 euro./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat