Të paktën dy nga rreth 20 gra dhe nëna të ushtarëve të mobilizuar rusë, të cilët po luftojnë në Ukrainë, përballen me aktakuzë për organizimin e një aktiviteti publik të paautorizuar, pas protestës së tyre në fundjavë përballë ndërtesës së Ministrisë së Mbrojtjes në Moskë, ku kërkuan që burrat e tyre të kthehen në shtëpi.
Gratë u thirrën në një stacion policor dhe u morën në pyetje pasi shpalosën pankarta me kërkesat e tyre.
Ndaj dy prej tyre, Anna Bogatchenko dhe Anastasia Slavik, u ngrit aktakuzë, raporton OVD-Info, një organizatë që vëzhgon shkeljen e të drejtave të njeriut në Rusi.
Protesta në kryeqytetin rus më 21 shtator përkoi me datën e dy vjetëve më parë, kur presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nënshkroi një dekret për thirrjen e burrave në atë që zyrtarët rusë e quajnë "operacioni i posaçëm ushtarak" në Ukrainë.
Këto gra kërkuan takim me ministrin e Mbrojtjes të Rusisë, Andrei Belousov, dhe kthimin e të dashurve të tyre nga lufta në Ukrainë.
Pasi ato thanë se do të qëndronin pranë ndërtesës së Ministrisë gjatë natës, policia i shpërndau me forcë, duke i ndaluar përkohësisht disa prej tyre.
Në tetor të vitit 2022, Putini njoftoi se mobilizimi i pjesshëm kishte përfunduar, por ai nuk e nënshkroi asnjëherë një urdhër për këtë, duke thënë publikisht se nuk kishte nevojë për një gjë të tillë.
Më vonë, ai njoftoi se burrat e thirrur në ushtri do të qëndronin në Forcat e Armatosura deri në përfundimin e luftës.
Mungesa e një dekreti për përfundimin e mobilizimit të pjesshëm ua mundëson autoriteteve t’i mbajnë akoma burrat të dislokuar në Ukrainë, pasi regjimi ligjor vazhdon të jetë në fuqi.
Pas njoftimit për mobilizim nga Putini dy vjet më parë, qindra mijëra qytetarë rusë u larguan nga vendi, kryesisht drejt Kazakistanit, Gjeorgjisë, Mongolisë dhe Turqisë, për t’i shpëtuar thirrjes në ushtri.
Pushtimi i Ukrainës është shndërruar në katastrofë për Rusinë, pasi ua ka marrë jetën dhjetëra mijëra ushtarëve, e ka dëmtuar ekonominë e vendit dhe i ka shkatërruar marrëdhëniet e vendit me Perëndimin.
Putini i ka ndaluar me ligj kritikat kundër luftës dhe Forcave të Armatosura për ta shtypur çdo kundërshtim./REL