Mësohet se 2 persona kanë humbur jetën nga zjarri që është paraqitur në zonën pyjore në gadishullin e Peloponezit të Greqisë, raportojnë mediat.
Sipas mediave greke, jetën e humbën dy vullnetarë 35 dhe 40-vjeç të cilët morën pjesë në punimet për shuarjen e zjarrit pranë Xylokastros. Këta dy persona rezultonin të zhdukur që nga mbrëmja e djeshme.
Shërbimi zjarrfikës bëri të ditur se zjarri që filloi ditën e djeshme është vënë kryesisht nën kontroll mëngjesin e sotëm me ndërhyrjen e rreth 350 efektivëve të zjarrfikësve dhe 8 avionëve për shuarjen e zjarrit.
Autoritetet njoftuan se shumë fshatra u evakuuan si masë paraprake gjatë natës si pasojë e përhapjes së flakëve me shpejtësi për shkak të erërave të forta.
Një person humbi jetën në zjarrin që shpërtheu më 11 gusht në Varnavas, pranë Athinës dhe i cili u përhap në Vrilissia për shkak të erërave të forta.