Rezultatet e para jozyrtare të Qendrës për Tranzicionin Demokratik tregojnë se numrin më të madh të votave në zgjedhjet lokale në Podgoricë e ka siguruar Partia Demokratike e Socialistëve e ish presidentit, Milo Gjukanoviç.
Partia e Gjukanovicit ka marrë rreth 30 për qind të votave duke fituar 19 këshilltarë në Kuvendin e Podgoricës që ka 58 vende; Lëvizja Europa Tani e kryeministrit Milojko Spajiç dhe Demokratëve fitoi 14 vende, ndërsa lista e Presidentit të Malit të Zi Jakov Milatoviç dhe Lëvizja Ura nuk morën dot më shumë se 6 vende.
Partitë e ish-Frontit Demokratik pro-rus dhe Partisë Popullore Socialiste pro-serbe do të kenë 13 këshilltarë në Kuvendin e Podgoricës. Për të formuar pushtetin vendor në kryeqytetin malazez nevojitet një shumicë prej të paktën 29 këshilltarësh. Edhe pse Partia Demokratike Socialiste, e cila ka qenë në pushtet në Malin e Zi për tre dekada ka marrë shumicën e mandateve, duket se nuk do ta ketë të lehtë qeverisjen vendore, duke qenë se partitë që drejtojnë në nivel shtetëror vazhdimisht e kanë bërë të qartë se nuk do të hyjnë në koalicion me të.
Pjesëmarrja në votime ishte 56,3 për qind, niveli më i ulët ky i 10 viteve të fundit e votuesve të regjistruar që është pjesëmarrja më e ulët në dhjetë vitet e fundit. Ekspertët i konsiderojnë të rëndësishme zgjedhjet e Podgoricës dhe i shohin si një provë për zgjedhjet e mundshme të jashtëzakonshme parlamentare në Mal të Zi, të cilat sipas disa vlerësimeve mund të ndodhin për shkak të paqëndrueshmërisë ende të theksuar politike në vend.