Rusia sulmoi 11 rajone të Ukrainës me raketa dhe dronë, njoftuan sot Forcat Ajrore të Ukrainës. Kjo është dita e 33-të radhazi që Rusia sulmon Ukrainën nga ajri.
Gjatë natës në Kiev u dëgjuan disa shpërthime dhe mbrojtja kundërajrore ishte aktive në kryeqytet për më shumë se pesë orë.
Nuk raportohet për viktima, por raportohet se një “objekt infrastrukturor i rëndësishëm” është djegur në zonën e Mykolayiv.
Rusia përdor intensivisht dronët Shahed për sulm. Vetëm në shtator, ajo lëshoi më shumë se 1,300 prej tyre, numri më i lartë i sulmeve me dronë në një muaj të vetëm që nga fillimi i luftës.
Ukraina ka zhvilluar gjithashtu një gjeneratë të re të dronëve për sulme edhe brenda Rusisë. Më shumë se 100 dronë ukrainas u rrëzuan mbi Rusi dje, njoftuan zyrtarët rusë.
Presidenti rus Vladimir Putin publikoi sot një video duke shënuar përvjetorin e dytë të aneksimit të katër territoreve ukrainase dhe përsëri akuzoi Perëndimin se e ktheu Ukrainën në një “bazë ushtarake të drejtuar kundër Rusisë”.
Rusia aneksoi rajonet Donetsk, Lugansk, Kherson dhe Zaporozhye pas një referendumi të mbajtur në vitin 2022 që Perëndimi e konsideron të paligjshëm. Rusia gjithashtu aneksoi Krimenë në vitin 2014.