Gjermania u bëri sot thirrje shtetasve të saj të largohen nga Irani në mes të tensioneve të përshkallëzuara në rajon.
Ministria e Jashtme lëshoi një paralajmërim udhëtimi për Iranin, pasi mediat izraelite raportuan se Tel-Aviv po shqyrtonte sulme ndaj platformave të naftës të Iranit dhe vendeve bërthamore në përgjigje të sulmit me raketa të djeshme.
“Më 1 tetor 2024, forcat e armatosura iraniane kryen sulm me raketa mbi Izraelin. Pritet një kundërpërgjigje nga forcat e armatosura izraelite. Sulmet në territorin iranian nuk mund të përjashtohen. Situata në të gjithë rajonin mbetet e paqëndrueshme dhe shumë e tensionuar”, thuhet në deklaratë.
Irani lansoi rreth 180 raketa balistike drejt Izraelit të martën në mes të tensioneve të rritura në rajonin e Lindjes së Mesme.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) tha se sulmi ishte në përgjigje të vrasjeve të liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh, liderit të Hezbollahut Hassan Nasrallah dhe komandantit të IRGC-së Abbas Nilforoshan.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se sulmi me raketa ishte një "gabim i madh" dhe se Irani "do të paguajë për të".