Frikë se në Hamburg mund të jetë shfaqur virusi Marburg

Evropë

Frikë se në Hamburg mund të jetë shfaqur virusi Marburg

Më: 2 tetor 2024 Në ora: 23:14
Hamburg

Një stacion është rrethuar me shirita në Hamburg të Gjermanisë për shkak të frikës se dy pasagjerë në tren mund të kishin arritur me një virus të rrezikshëm.

Një zëdhënës i zjarrfikësve i ka thënë gazetës Bild se burri dhe e dashura e tij kishin zhvilluar simptoma të ngjashme me gripin derisa ishin në një tren të shpejtësisë së lartë nga Frankfurti.

Zëdhënësi shtoi se ata kishin ardhur nga jashtë ku kishin trajtuar një person me një sëmundje infektive, por nuk ka dhënë informacione të tjera.

Nuk dihet qartë se çfarë problemi shëndetësor kishin, por burri që raportohet se është student i mjekësisë, nuk kishte temperaturë.

Sipas autoriteteve, ata kishin arritur në Frankfurt nga Ruanda të mërkurën, raportoi BBC. 

Ekipi i policëve dhe zjarrfikësve i kanë dërguar të dy në një klinikë specialiste. Platforma katër u mbyll për një periudhë e më vonë u lëshua.

Ruanda aktualisht po përballet me shpërthimin e virusit Marburg. Tetë persona dihet se kanë vdekur nga ai. Ky virus përhapet përmes lëngjeve trupore dhe shkakton temperaturë, kokëdhimbje dhe diarre.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mesatarisht virusi Marburg vret gjysmën e personave të infektuar.

Për herë të parë u identifikua më 1967, kur punonjësit e laboratorit u infektuan me një agjent infektiv të panjohur më parë fillimisht në Marburg dhe Frankfurt, e më pas në Serbi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat