Mark Rutte, shefi i ri i NATO-s, e ka nisur mandatin me një vizitë në Ukrainë. Kjo është vizita e tij e parë në këtë rol.
Për lajmin ka njoftuar në profilin e tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili teksa ka ndarë fotografitë e takimit shihet shumë i lumtur krahë Rutte.
“Vizita e parë e Mark Rutte si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s është në Ukrainë, dhe kjo është vërtet domethënëse”, shkruan Zelensky.
“Objektivi ynë kyç, natyrisht, mbetet anëtarësimi i plotë i Ukrainës në Aleancë. Sot, diskutuam gjithashtu për Planin e Fitores së Ukrainës, situatën në fushëbetejë, nevojat aktuale të trupave tona, si dhe nevojat e mbrojtjes ajrore të Ukrainës dhe bashkëpunimin shtesë me fqinjët tanë”.
“Me afrimin e dimrit, është shumë e rëndësishme të zbatohen të gjitha marrëveshjet në lidhje me mbrojtjen ajrore, veçanërisht ato që u diskutuan në samitin e NATO-s në Uashington”.