Autoritetet shëndetësore në Hamburg kanë njoftuar se dy persona të kthyer nga Ruanda kanë rezultuar negativë për virusin Marburg.
Sipas njoftimit për shtyp, testet u kryen në një spital në rrethin e Hamburg-Eppendorf. Dy nga të testuarit u kthyen nga Ruanda dje.
Ata udhëtuan së bashku me tren nga Frankfurti në Hamburg. Gjatë atij udhëtimi, njëri prej tyre, nga frika se kishte marrë një sëmundje tropikale, kontaktoi mjekët. Ai punoi në një spital në Ruanda si pjesë e studimeve të tij mjekësore ku trajtoheshin personat e infektuar me virusin Marburg.
Sipas mediave gjermane, bëhet fjalë për një të ri rreth të njëzetat që ka shfaqur simptoma të ngjashme me gripin. Por ai kurrë nuk kishte simptoma që do të korrespondonin me infeksionin me virusin Marburg, specifikuan autoritetet. Studenti i mjekësisë do të mbahet nën vëzhgim deri në fund të periudhës së inkubacionit, e cila mund të zgjasë deri në 21 ditë, sipas autoriteteve.
Një person tjetër, i cili nuk kishte qenë kurrë pranë dikujt me këtë sëmundje, gjithashtu rezultoi negativ dhe kishte simptoma të lehta të një sëmundjeje tjetër, sipas autoriteteve. “Përjashtohet në këtë mënyrë çdo rrezik për palët e treta”, thuhet në deklaratë.
Së fundmi në Ruandë shpërtheu një infeksion me virusin Marburg. Deri më 27 shtator, janë konfirmuar 29 raste, dhe 11 persona kanë vdekur.
Virusi Marburg shkakton temperaturë të lartë dhe gjakderdhje të brendshme, dhe shkalla e vdekjes është deri në 88 për qind. Sëmundja është e ngjashme me Ebolën.