Të paktën 14 të vdekur nga përmbytjet në Bosnje

Evropë

Të paktën 14 të vdekur nga përmbytjet në Bosnje

Më: 4 tetor 2024 Në ora: 12:46
Pamje nga Bosnje e Hercegovinë

Të paktën 14 persona kanë vdekur në Bosnje e Hercegovinë dhe “shumë të tjerë” janë lënduar, pas reshjeve të shiut që shkaktuan edhe rrëshqitje të dheut.

Zëdhënësi i Qeverisë së Qarkut të Hercegovinës dhe Neretvës (HNK), Darko Juka, tha se trupat e pajetë të 14 viktimave janë gjetur.

“Kemi shumë njoftime për persona të zhdukur”, tha ai gjatë një konference për media në Mostar. Ai shtoi se situata më kritike është në zonën e Donja Jabllanica, që gjendet në rrugën nga Mostari për në Sarajevë.

“Një grua shtatzënë, foshnja e të cilës i vdiq në bark, është evakuuar nga zonat e përmbytura në jug të Bosnje e Hercegovinës”, tha për REL Llamija Duranoviq, drejtoreshë në spitalin e kantonit “Dr.Safet Mujiq”.

Bashkëshorti i saj gjithashtu është lënduar, por është jashtë rrezikut për jetën.

“Një fëmijë rreth dhjetë vjeçare është pranuar gjithashtu, i cili u soll me helikopterin e EUFOR-it. Ai nuk është në rrezik për jetë”, tha Duranoviq, duke shtuar se pacientët vazhdimisht po vijnë, dhe po transportohen me helikopterë ose mjete të shërbimit të emergjencës.

Gjatë një mbledhjeje të jashtëzakonshme më 4 tetor, Presidenca e Bosnje e Hercegovinës në mënyrë unanime u vendos që të angazhohen Forcat e Armatosura në Bosnje në komunën e Jabllanicës.

Ekipe të shpëtimit, njësi të tjera dhe një helikopter i ushtrisë u përfshin në përpjekjet për t’iu ofruar ndihmë autoriteteve civile në përgjigje ndaj kësaj fatkeqësie natyrore, raporton REL.

Ministria e Sigurisë e Bosnje e Hercegovinës më herët tha se një helikopter i forcave të Bashkimit Evropian në Bosnje (EUFOR) po transporton nga Jabllanica personat e plagosur rëndë, tha Ministria e Sigurisë e Bosnje e Hercegovinës.

Kryetari i Jabllanicës, Damir Shabanoviq, tha se në këtë komunë dhe në mbarë shtetin do të shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat