Disa civilë të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë

Evropë

Disa civilë të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë

Më: 4 tetor 2024 Në ora: 15:10
Pasojat e një sulmi rus në Harkiv, Ukrainë, 3 tetor 2024.

Së paku tre civilë janë vrarë nga granatimet ruse në katër rajone të Ukrainës të premten, thanë zyrtarët ushtarakë dhe rajonalë. Ndërkohë, një sulm me dronë ia vuri zjarrin një depoje nafte në rajonin Voronezh të Rusisë.

Dy banorë u vranë dhe dy të tjerë u plagosën nga bombardimet ruse në rajonin Donjeck në lindje të Ukrainës, tha guvernatori rajonal, Vadym Filashkin, në Telegram.

Në rajonin jugor Herson u vra një person dhe katër të tjerë u plagosën gjatë bombardimeve ruse ndaj 14 vendbanimeve në 24 orët e fundit, tha guvernatori rajonal, Oleksandr Prokudin.

Ushtria ruse sulmoi infrastrukturën civile, si dhe ndërtesat e banimit dhe rrjetet e komunikimit. 35 shtëpi u shkatërruan”, tha Prokudin në Telegram, duke shtuar se u dëmtuan objekte bujqësie, depo, autobusë, makineri bujqësore dhe automjete.

Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se Rusia e sulmoi Ukrainën me 19 dronë, nëntë prej të cilëve u rrëzuan nga kundërajrorët ukrainase mbi katër rajone, Kiev, Çerkasi, Kirovohaard dhe Herson.

Ndërkohë, një sulm ukrainas me dronë ia vuri flakën një depoje nafte në rajonin jugperëndimor të Rusisë, Voronezh, mëngjesin e së premtes, tha guvernatori rajonal Aleksandr Gusev, në Telegram.

Gusev tha se zjarri u shkaktua nga copëzat e një droni që ranë mbi depo, pasi ai ishte rrëzuar nga kundërajrorët rusë.

Një cisternë e zbrazët mori flakë. Sipas të dhënave fillestare, nuk ka viktima. Zjarrfikësit janë duke punuar në vendngjarje”, shkroi ai.

Kanalet ruse në Telegram publikuan video që shfaqin një zjarr në zonën e rrëzimit të dronit. Kanali Astra në Telegram, duke cituar banorët, tha se u godit depoja e naftës Annanefleprodukt.

Ushtria ukrainase e konfirmoi sulmin në një komunikatë.

Një sulm u krye ndaj depos së naftës Annanefleprodukt në afërsi të vendbanimit Anna në rajonin e Voronezhit”, tha ushtria, duke shtuar se kundërajrorët rusë hapën zjarr ndaj dronëve sulmues.

Së paku njëri nga rezervarët e naftës u godit dhe mori flakë, tha ushtria./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat