Kujtoi se gjeti punë në Moskë, përfundon në frontin e luftës

Evropë

Kujtoi se gjeti punë në Moskë, përfundon në frontin e luftës

Më: 6 tetor 2024 Në ora: 20:56
Ilustrim

Një burrë nga Kashmiri, zona që administrohet nga India, thotë se një ofertë pune në Moskë kishte qenë mashtrim për ta dërguar atë në frontin e luftës me Ukrainën. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Muheet Ul Islam, sjell në vazhdim kalvarin që kaloi 32-vjeçari së bashku me disa bashkëkombës të tjerë nga Kashmiri.

Për tetë muaj, 32-vjeçari Azad Yousuf Kumar nga Pulwama e Kashmirit, u përpoq me dëshpërim të braktiste ushtrinë ruse dhe të kthehej në shtëpinë e tij.

Ai thotë se u mashtrua nga një reklamë në internet për një punë si ndihmës sigurie në Moskë. Ai nënshkroi një kontratë në rusisht që nuk ishte e përkthyer në gjuhën e tij. Zoti Kumar thotë se tre ditë pasi mbërriti në Moskë me gjashtë shtetas të tjerë indianë, ata u dërguan në një vend të panjohur, iu dhanë uniforma dhe iu nënshtruan trajnimit ushtarak.

“U lëndova gjatë javës së parë të stërvitjes dhe u shtrova në spital. Pas shërimit, kërkova të gjej miqtë dhe bashkëkombësit e mi dhe mësova se ishin dërguar në zonat e luftës së bashku me disa egjiptianë dhe nepalezë.”

Kumar tregon se gjatë angazhimit me forcat ruse, ai hapi llogore dhe ndërtoi bunkerë në pjesën lindore dhe jugore të Ukrainës, duke punuar për ditë të tëra pa ushqime dhe ujë të mjaftueshëm.

“Nuk kam fjalë që mund ta përshkruajnë vuajtjen time. Motivi ynë i vetëm ishte të qëndronim gjallë dhe të ktheheshim në shtëpi.”

Në Kashmir, familjen e Kumarit e kaploi frika pasi mësoi për peripecitë dhe rreziqet me të cilat po përballej. Ata i kërkuan ndihmë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe parlamentit.

Kryeministri indian Narenda Modi thuhet se e ngriti këtë çështje gjatë takimit në Moskë me Presidentin Vladimir Putin.

“Modi zhvilloi dy vizita dhe ndihmoi në kthimin e tij. Ne kërkuam vazhdimisht ndihmën e autoriteteve për kthimin e tyre. Pas një pritje të gjatë, fatmirësisht janë kthyer shumica e atyre që u mashtruan. Tani jemi të lumtur”, thotë nëna Raja Begum.

Kumar thotë se arriti të mbijetonte pasi refuzoi të mësonte të fliste rusisht, ndërsa ata që e mësuan gjuhën u dërguan me forcat ruse në vijën e parë të frontit.

Kumar dhe 34 të tjerë u kthyen në vendin e tyre. Por ai thotë se atje ndodhen edhe shumë indianë të tjerë që u mashtruan si ai ndërsa i kërkon qeverisë të ndihmojë për kthimin e tyre në atdhe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat