​Lufta në Ukrainë, Putin humb mbi 1 mijë ushtarë në ditë

Evropë

​Lufta në Ukrainë, Putin humb mbi 1 mijë ushtarë në ditë

Më: 11 tetor 2024 Në ora: 23:36
Vladimir Putin

Shtatori ishte muaji më i përgjakshëm për Rusinë qe nga fillimi i luftës në Ukrainë, tha një zyrtar i Pentagonit.

Pentagoni vlerëson se Rusia ka pësuar më shumë se 600 mijë viktima – 115 mijë të vrarë dhe 500 mijë të plagosur qe nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022.

Shifrat janë dukshëm më të larta në krahasim me vlerësimet e mëparshme të shërbimeve të inteligjencës amerikane, të cilat në fillim të këtij viti vlerësuan bilancin e viktimave në rreth 350 mijë, shkruan The Telegraph.

"Forcat ruse kanë pësuar më shumë viktima, ose të vrarë ose të plagosur, në këtë muaj se në çdo muaj tjetër të luftës. Humbjet e Rusisë, si në të vrarë ashtu edhe në të plagosur, në vitin e parë të luftës tejkaluan numrin total të të gjitha humbjeve ruse apo sovjetike në çdo konflikt që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha një zyrtar amerikan për bilancin e të vrarëve.

Vlerësimet e fundit nga Ministria britanike e Mbrojtjes thonë se Rusia humbi mbi 38 mijë ushtarë në shtator, me një mesatare 1 mijë e 271 në ditë. Zyrtarët amerikanë thonë se humbjet e mëdha janë rezultat i një lufte rrënimi, në të cilën të dyja palët përpiqen të lodhin njëra-tjetrën duke shkaktuar dëme maksimale.

“Është një lloj mënyra ruse e luftës, ata vazhdojnë të dërgojnë një numër të madh ushtarësh drejt vdekjes së tyre. Unë mendoj se do të vazhdojmë të shohim humbje të larta edhe nga pala ukrainase," tha zyrtari amerikan.

Vlerësimet amerikane tregojnë se Ukraina ka pësuar më shumë se 57 mijë e 500 të vrarë dhe 250 mijë të plagosur qe nga fillimi i luftës. Kievi po përpiqet të zgjidhë problemet me mungesën e ushtarëve duke futur ligje të reja, shpesh të diskutueshme, mbi mobilizimin.

Presidenti rus Vladimir Putin deri më tani ka shmangur një mobilizim të ri masiv të popullsisë, pasi do të ishte shumë jopopullor. Në vend të kësaj, Moska ofron shpërblime të mëdha financiare - ndonjëherë deri në pesë herë më shumë se paga vjetore në Rusi - për të tërhequr vullnetarë.

"Ne po monitorojmë me kujdes se sa do të jetë në gjendje të zgjasë kjo qasje," tha zyrtari amerikan.

Në mesin e shtatorit, portali rus i pavarur hetimor Meduza raportoi se, ndërsa rekrutimi i vullnetarëve u ngadalësua, Kremlini dyfishoi stimujt për luftëtarë të rinj. Stimujt financiarë u rritën nga 2 mijë e 121 dollarë në 4 mijë e 350 dollarë.

"Tërheqja e luftëtarëve të huaj me stimuj financiarë dhe premtimin e shtetësisë pas angazhimit luftarak në Ukrainë është një opsion politikisht tërheqës për Moskën," tha për Newsweek, Mark Cancian, një kolonel në pension i Trupave Detare të SHBA-së.

William Freer, studiues i sigurisë kombëtare në institutin e mendimit të Këshillit të Gjeostrategjisë, thotë se Putin është përpjekur të zbatojë mobilizimin e fshehtë përmes masave stimuluese gjithnjë e më të dëshpëruara, por kjo do të zgjasë vetëm për një kohë të kufizuar.

“Ata e kompensojnë pjesërisht duke tërhequr shtetas të huaj”, shtoi ai.

"Një mobilizim si ai i vjeshtës 2022 do të kishte një ndikim të madh në reputacionin e Putin në Rusi," tha Andrii Ziuz, ish-drejtor i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës.

“Sanksionet kundër Moskës kanë qenë joefektive, gjë që u jep atyre një hapësirë financiare për të rritur stimujt monetarë”, tha ai për Newsweek.

Mercenarët, si grupi Wagner, luajtën një rol kyç në luftimet e mëparshme në luftë, veçanërisht në kapjen e qytetit ukrainas Bakhmut në maj 2023. Në qershor 2023, Wagner u rebelua kundër Moskës dhe kreu i këtij grupi paraushtarak, Yevgeny Prigozhin vdiq në një aksident të dyshimtë avioni në Rusi.

"Grupi tani është shpërndarë kryesisht, ende i pranishëm, por nën udhëheqjen e re. Grupet e ndryshme ushtarake private janë tani nën kontroll më të rreptë. Ata janë më pak të spikatur tani që Wagner është nën kontroll. Ata nuk janë më aq të dukshëm dhe mendoj se edhe numri i tyre ka rënë”, tha Mark Cancian.

Një raport i tetorit 2022 nga dy media ruse zbuloi se mobilizimi po prek rajone të ndryshme të Rusisë në mënyrë të pabarabartë.

“Sa më të varfër të jenë banorët e një rajoni, aq më shumë i prek mobilizimi”, thonë gazetarët. "Rekrutimi deri tani ka shënjestruar kryesisht familjet më të varfra dhe pakicat etnike. Njerëzit janë kundër tij, por qeveria ruse deri më tani ka shtypur me sukses çdo destabilitet me masa të forta represioni," tha Freer.

Megjithatë, ndërsa bilanci i të vrarëve rritet, Freer paralajmëron se Kremlini së shpejti mund të detyrohet të kërkojë grupe të reja rekrutimi, të cilat mund të shkaktojnë rezistencë më serioze politike.

"Putin mund të përballet me nevojën për të rekrutuar njerëz nga rajone më të pasura ose më të fuqishme politikisht, gjë që mund të përkeqësojë më tej ndarjet politike në vend," tha Freer.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat