Gjermania ka nevojë për një ushtri më të madhe, thotë shefi i komitetit parlamentar të mbrojtjes

Evropë

Gjermania ka nevojë për një ushtri më të madhe, thotë shefi i komitetit parlamentar të mbrojtjes

Më: 12 tetor 2024 Në ora: 19:40
Foto ilustrim

Forcat e armatosura të Gjermanisë, Bundeswehr, kanë nevojë për deri në 35,000 ushtarë të tjerë për të përmbushur kërkesat e reja të mbrojtjes të NATO-s, sipas kreut të komitetit parlamentar të mbrojtjes.

Duke iu bashkuar thirrjeve për një ushtri më të fortë për t’u përballur me një kërcënim në rritje nga Rusia, Marcus Faber, kryetari i komitetit të mbrojtjes të Bundestagut, mbështeti të shtunën planet për të rritur numrin e brigadave luftarake gjermane në NATO nga 82 në 131 nga viti 2031, shkruajnë mediat e huaja.

Në vend të tri divizioneve me 65,000 ushtarë, ushtrisë gjermane do t’i duheshin pesë divizione, të cilat do të korrespondonin me një total prej rreth 100,000 ushtarësh, tha Faber për grupin gjerman të medias Redaktionsnetzwerk Deutschland (RND).

“Kjo do të zgjasë rreth 10 vjet”, citohet të ketë thënë Faber, duke kërkuar që shpenzimet vjetore të Gjermanisë për mbrojtjen të rriten nga 2% në 3% të BPV-së.

Bundeswehr aktualisht ka një total prej 180,000 ushtarësh.

Ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius ka bërë thirrje vazhdimisht për një rritje të konsiderueshme të mëtejshme të shpenzimeve të mbrojtjes dhe gjithashtu e ka bërë të qartë se nevojiten më shumë ushtarë për aftësinë mbrojtëse.

Dhe Ministria e Pistorius aktualisht po përpunon detajet e një propozimi të ri për shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Në sfondin e luftës së vazhdueshme të Rusisë në Ukrainë, gjenerali gjerman i NATO-s, Christian Badia, tha gjithashtu të premten për mediat se shpenzimet e mbrojtjes të vendit duhet t’i afrohen 3% të BPV-së, shumë mbi udhëzimin e NATO-s prej 2%.

Badia, një komandant në forcat ajrore të Gjermanisë, është gjithashtu përgjegjës për zhvillimin dhe përshtatjen e vazhdueshme të aleancës ushtarake të NATO-s. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat