Lukashenko: doktrina e re bërthamore e Rusisë “ndoshta do të qetësojë zellin” e Perëndimit

Evropë

Lukashenko: doktrina e re bërthamore e Rusisë “ndoshta do të qetësojë zellin” e Perëndimit

Më: 13 tetor 2024 Në ora: 20:56
Alexander Lukashenko

Ndryshimet që njoftoi Rusia për politikën e saj të armëve bërthamore duhet të ishin bërë prej kohësh dhe ndoshta “do të qetësojnë zellin” e kundërshtarëve perëndimorë, tha gjatë një interviste të publikuar të dielën udhëheqësi bjellorus Alexander Lukashenko.

Zoti Lukashenko, një aleat i ngushtë i Presidentit rus Vladimir Putin, tha se “mendjet e nxehta” në Perëndim i patën marrë paraprakisht sinjalet bërthamore që po dërgoheshin nga Moska, që përpara se udhëheqësi i Kremlinit të njoftonte ndryshimet muajin e kaluar.

Presidenti rus Putin tha më 25 shtator se Rusia po zgjeronte listën e skenarëve që mund ta shtynin të merrte në konsideratë mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore, ndër të tjera edhe në rastet kur ka informacion të besueshëm për një sulm masiv ndërkufitar me mjete si avionë, raketa dhe dronë. Ai tha se Moska do ta konsideronte një sulm të mbështetur nga një fuqi bërthamore, si një sulm të bërë bashkarisht me vendin sulmues.

Ky njoftim ishte përgjigja që i dha Kremlini diskutimeve në Shtetet e Bashkuara dhe në Britani, nëse i duhej dhënë Ukrainës leja për të përdorur raketat kovencionale të furnizuara nga Perëndimi, për të goditur objektiva në thellësi të territorit të Rusisë.

“Kjo doktrinë duhet të ishte rivendosur prej kohësh”, tha zoti Lukashenko, i cili ra dakort me Presidentin rus Putin vitin e kaluar për dislokimin e armëve taktike bërthamore të Rusisë në territorin e Bjellorusisë.

Zoti Lukashenko i tha një gazetari të një televizioni rus se raketat perëndimore “do të ishin tashmë duke na goditur, në veçanti Rusinë”, nëse Perëndimi nuk do i kishte kushtuar vëmendje sinjaleve të mëhershme bërthamore të zotit Putin. Por, ndryshimi i doktrinës bërthamore “ndoshta qetëson pak zellin e tyre”, shtoi ai.

Ukraina e ka akuzuar Rusinë për shantazh bërthamor. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy, i ka bërë thirrje Perëndimit të mos i kushtojë rëndësi “vijave të kuqe” të Presidentit rus Putin. Moska thotë se paralajmërimet e saj janë reale dhe zoti Putin ka thënë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët do të ishin duke luftuar drejtpërdrejt me Rusinë, nëse i japin dritën jeshile Kievit për të goditur në thellësi të Rusisë me raketat amerikane ATACMS dhe ato britanike Storm Shadow. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat