Kievi sulmon me 110 dronë disa rajone ruse

Evropë

Kievi sulmon me 110 dronë disa rajone ruse

Më: 20 tetor 2024 Në ora: 16:03
Foto ilustrim

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se forcat ajrore kishte rrëzuar 110 dronë ukrainas të dielën mbi rajonet perëndimore të vendit. Ky zhvillim vjen ndërsa 17 persona u plagosën në qytetin ukrainas të Kryvyi Rih-ut si pasojë e një sulmi rus me raketa balistike.

Moska tha se 110 dronët ishin drejtuar ndaj shtatë rajoneve ruse. Shumë prej tyre kishin në shënjestër rajonin kufitar të Rusisë, Kursk, ku ishin interceptuar 43 të tillë.

Pamjet filmike që qarkulluan në mediat sociale duket se tregonin mbrojtjen ajrore në operim mbi qytetin Dzerzhinsk në rajonin e Nizhny Novgorod, pranë një fabrike që prodhonte eksplozivë.

Guvernatori lokal Gleb Nikitin shkruante në rrjetet sociale të dielën se katër zjarrfikës ishin plagosur duke zmbrapsur një sulm me dronë mbi zonën industriale të Dzerzhinskut, por nuk dha detaje të mëtejshme.

Sulme të tilla ajrore në shkallë të gjerë kanë qenë relativisht të rralla ndërsa ka kaluar 2 vjet e gjysmë që kur Moska nisi sulmin në shkallë të plotë të Ukrainës.

Një sulm i ngjashëm u njoftua në fund të shtatorit nga Ministria ruse e Mbrojtjes që njoftoi se kishte shkatërruar 125 dronëve në shtatë rajone.

Ndërkohë të dielën zyrtarët ukrainas njoftuan se 17 persona u plagosën në Kryvyi Rih të Ukrainës pasi qyteti u godit me dy raketa balistike ruse.

Sulmi që ndodhi të shtunën vonë në mbrëmje dëmtoi shtëpi dhe biznese, tha kreu i administratës lokale Oleksandr Vilkul.

Forcat ajrore ukrainase thanë se Rusia kishte lëshuar 49 dronë dhe dy raketa balistike Iskander-M gjatë natës. Po kështu u tha se 31 nga dronët ishin rrëzuar në 12 rajone, përfshirë kryeqytetin ukrainas, Kiev.

Në një deklaratë në mediat sociale, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se vetëm gjatë javës së kaluar, Rusia kishte lëshuar rreth 800 bomba ajrore me drejtim dhe më shumë se 500 dronë sulmues mbi Ukrainë.

"Çdo ditë, Rusia godet qytetet dhe komunitetet tona. Është terror i qëllimshëm nga armiku, kundër popullit tonë", shkruante ai, duke ripërtërirë thirrjet për mbështetje të vazhdueshme ajrore nga aleatët e vendit.

“E bashkuar në mbrojtje, bota mund të ngrihet kundër këtij terrori të qëllimtë”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat