Policia gjermane ka zbuluar një operacion të trafikut të drogës në Dyseldorf që përfshin një piceri që shpërndante fshehurazi kokainë së bashku me porositë e picave.
Sipas policisë, klientët që kërkuan artikullin 40, morën ‘një dozë të kokainës’ me picën e tyre, shkruajnë mediat e huaja.
Drejtori kriminal Micheal Graf von Moltke zbuloi se skema u raportua për herë të parë nga inspektorët e ushqimit në mars.
Sapo skuadra e drogës filloi hetimin, ata e kuptuan shpejt pse pica numër 40 ishte kaq popullore, u tha Moltke gazetarëve.
Kur oficerët bastisën banesën e menaxherit të picerisë, 36-vjeçari dyshohet se hodhi një qese me drogë nga dritarja, e cila ra direkt në duart e oficerëve të policisë në pritje.
Në qese kishte 1.6 kilogram kokainë, 400 gramë kanabis dhe 268 mijë euro para të gatshme.
Pas arrestimit, menaxheri i restorantit rihapi picerinë dhe vazhdoi shitjen e paligjshme të “picës numër 40”, duke i lejuar hetuesit të gjurmojnë zinxhirin e furnizimit të operacionit.
Pas disa javësh hetime, rreth 150 oficerë filluan një bastisje të madhe, duke çmontuar rrjetin e drogës dhe duke arrestuar tre të dyshuar, duke përfshirë edhe kreun 22-vjeçar.
Shtëpitë dhe bizneset e lidhura me 12 të dyshuar të tjerë u bastisën gjithashtu.
Gjatë bastisjeve, policia zbuloi dy plantacione kanabisi në Mönchengladbach dhe Solingen aty pranë, që përmbanin gjithsej 360 bimë.
Oficerët konfiskuan gjithashtu armë, para dhe orë luksoze.
Menaxheri i picerisë u arrestua më vonë ndërsa tentoi të ikte jashtë vendit dhe mbetet në paraburgim.
Në përputhje me ligjet gjermane të privatësisë, emrat e të dyshuarve nuk janë bërë të ditur.
Policia ende nuk ka bërë të ditur se sa duhej paguar klientët për porosinë speciale të kokainës.