Kujtimet e Alexei Navalnit, një dëshmi e qëndresës së tij

Evropë

Kujtimet e Alexei Navalnit, një dëshmi e qëndresës së tij

Më: 22 tetor 2024 Në ora: 22:05
Kujtimet e Alexei Navalnit

Në kujtimet e publikuara tetë muaj pasi vdiq në burg, udhëheqësi opozitar rus Alexei Navalny nuk humbet kurrë besimin tek vlera e vuajtjeve për kauzën e tij, ndërkohë që edhe shpreh dëshirën të mund të kishte shkruajtur një tjetër lloj libri.

“Është një përzierje copëzash dhe një histori tradicionale e pasuar nga një ditar burgu”, shkruhet në librin ‘Patrioti’ që u publikua të martën.

“Nuk dëshiroj që libri im të jetë një tjetër ditar burgu. Personalisht më duken interesante për t’i lexuar, por si zhanër ka patur mjaftueshëm”.

200 faqet e fundit të librit prej 479 faqesh të zotit Navalny u ngjasojnë karakteristikave të disa ditarëve të tjerë nga burgu të klasikëve të letërsisë ruse, si vepra e autorit Alexander Solzhenicin, “Një ditë në jetën e Ivan Denisoviçit”. Ai evidenton mërzinë, izolimin, stërmundimin, vuajtjen dhe absurditetin e jetës në burg, ndërsa eksploron aspekte të shumta, që nga letërsia franceze e shekullit të 19-të dhe deri tek këngëtarja Billie Eilish. Por libri ‘Patrioti’ paraqitet edhe si një testament i betejës së jashtëzakonshme të disidentit kundër dëshpërimit, ndërsa autoritetet ruse forconin gradualisht masat shtypëse ndaj tij. Zoti Navalny ofron madje edhe këshilla për përballjen me më të keqen dhe ruajtjen e shpresës.

“Më e rëndësishmja është të mos e torturosh veten me zemëratë, urrejtje dhe fantazi për hakmarrje, por që të kalosh menjëherë tek pranimi. Kjo mund të jetë e vështirë”, shkruan ai. “Procesi që zhvillohet në mendjen tënde nuk është aspak i thjeshtë, por nëse gjendesh në një situatë të keqe, duhet ta provosh këtë. Funksionon, për sa kohë që e ke menduar gjithçka seriozisht”.

Vitet e fundit, zoti Navalny ishte bërë një simbol ndërkombëtar i rezistencës. I diplomuar për juridik, ai filloi angazhimin si aktivist kundër korrupsionit, por shpejt u shndërrua në një politikan me aspirata për poste publike dhe përfundimisht u bë sfiduesi kryesor i Presidentit afatgjatë të Rusisë, Vladimir Putinit.

E veja e tij, Yulia Navalnaya, mbikëqyri përfundimin e librit. Në një intervistë, ajo i tha BBC-së se do të kandidonte për presidente nëse do të kthehej ndonjëherë në Rusi - një lëvizje e pamundur me Presidentin Putin në pushtet, pranoi zonja Navalnaya. Ajo është dënuar në mungesë në Rusi me akuzën e përfshirjes në një grup ekstremist. Presidenti Putin “duhet të jetë në një burg rus, për të ndjerë gjithçka që ndjeu jo vetëm burri im, por të gjithë të burgosurit në Rusi”, tha zonja Navalnaya gjatë një interviste në emisionin “60 Minutes” të kanalit televiziv CBS.

Zonja Navalnaya është zotuar ta vazhdojë luftën e bashkëshortit të saj të ndjerë. Ajo ka mbajtur rregullisht fjalime me video për mbështetësit e saj dhe është takuar me udhëheqësit perëndimorë dhe zyrtarë të lartë, duke u dalë në mbrojtje rusëve që kundërshtojnë Presidentin Putin dhe luftën e tij në Ukrainë. Ajo pati dy fëmijë me bashkëshortin e saj të ndjerë, i cili në librin e tij shkruan për tërheqjen e tij të menjëhershme drejt saj dhe lidhjen e tyre të qëndrueshme, duke e paraqitur zonjën Navalnaya si një shpirt binjak që "mund të diskutonte me mua çështjet më të vështira, pa shumë drama dhe ankth".

Gjatë seksionit të parë të librit të tij, zoti Navalny reflekton mbi rënien e Bashkimit Sovjetik, zhgënjimin e tij me udhëheqësin rus të viteve 1990, Boris Yeltsin, kryqëzatat e tij të hershme kundër korrupsionit, futjen e tij në jetën publike dhe zbulimin se nuk kishte nevojë të shikonte shumë larg për të gjetur një politikan, “i cili do të ndërmerrte të gjitha llojet e projekteve të nevojshme, interesante dhe që do të bashkëpunonte drejtpërdrejt me popullin rus”.

"Doja dhe prita, dhe një ditë kuptova se mund të isha vetë ai person", shkruan ai.

Vizioni i tij për një "Rusi të bukur të së ardhmes", ku udhëheqësit zgjidhen lirisht dhe në mënyrë të ndershme, korrupsioni zyrtar zbutet dhe institucionet demokratike funksionojnë -- si dhe karizma e tij e fortë dhe humori sarkastik -- i dhanë atij mbështetje të gjerë në mbarë vendin. Atij iu bashkuan aktivistë të rinj dhe energjikë – një ekip që i ngjante një “kompanie novatore” dhe jo një operacioni revolucionar klandestin, thuhet në kujtimet e tij. “Nga jashtë dukeshim si një tufë liberalësh nga Moska”, shkruan ai, ndërsa publikonin video shumëngjyrëshe, të prodhuara në mënyrë profesionale që ekspozonin korrupsionin zyrtar. Videot u ndoqën nga miliona njerëz në rrjetin YouTube dhe nxitën tubime masive edhe pse autoritetet rritën masat shtypëse ndaj disidencës.

Autoritetet reaguan ndaj popullaritetit në rritje të zotit Navalny duke ngritur akuza të shumta ndaj tij, aleatëve të tij dhe madje edhe anëtarëve të familjes. Atë e fusnin shpesh në burg dhe mbyllën të gjithë infrastrukturën e tij politike -- Fondacionin për Luftën ndaj Korrupsionit që ai themeloi në vitin 2011, si dhe një rrjet prej disa dhjetëra zyrash rajonale.

Në vitin 2020, zoti Navalny i mbijetoi një helmimi me agjent nervor për të cilin fajësoi Kremlinin, që mohoi përfshirjen. Ai e përshkruan sulmin me shumë detaje që në fillim të librit, duke rrëfyer se: "Kjo është e tepërt dhe jam pranë vdekjes". Familja dhe aleatët e tij luftuan që ai të transportohej me avion në Gjermani për mjekim dhe pasi u kurua atje për pesë muaj, ai u kthye në Rusi, ku u arrestua dhe u dënua me burg, ku do të kalonte tre vitet e fundit të jetës.

Në kujtimet e tij, zoti Navalny kujton se i tha bashkëshortes së tij ndërsa ishte ende i shtruar në spital në Berlin se "sigurisht" që ai do të kthehej në Rusi.

Trysnia ndaj tij vazhdoi edhe në burg, duke u intensifikuar pasi Rusia sulmoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022 dhe rriti masat shtypëse ndaj disidencës në nivele të paprecedentë. Në mesazhet për mundësinë e daljes nga burgu, zoti Navalny përshkroi kushtet e tmerrshme të izolimit, ku u mbajt për muaj të tërë për shkelje të shumta të vogla për të cilat zyrtarët e burgut e akuzuan pa u ndalur, duke i mohuar gjumin dhe kujdesin mjekësor, si dhe duke i dhënë një ushqim të varfër. Në tetor 2023, tre nga avokatët e tij u arrestuan dhe dy të tjerë u shpallën në kërkim.

Në dhjetor 2023, autoritetet e transferuan zotin Navalny në një nga burgjet e nivelit më të lartë të sigurisë në sistemin rus të burgjeve, në një qytet të largët mbi Rrethin Arktik. Në shkurt 2024, 47-vjeçari Navalny vdiq atje papritur; rrethanat dhe shkaku i vdekjes së tij mbeten ende mister. Yulia Navalnaya dhe aleatët e tij thonë se atë e vrau Kremlini, ndërsa autoritetet argumentojnë se zoti Navalny vdiq për "shkaqe natyrore", por nuk bënë të ditur asnjë detaj për atë që ndodhi.

Dhjetëra mijëra rusë morën pjesë në funeralin e tij në periferi të Moskës në mars, me një mesazh të rrallë sfide në një vend ku çdo tubim në rrugë, apo edhe protesta të veçuara shpesh rezultojnë në arrestime dhe burgime të menjëhershme. Për ditë të tëra më pas, njerëzit vendosën lule tek varri dhe një grup e vizitoi varrin edhe të martën.

“Ëndërroj që sa më shumë njerëz ta lexojnë këtë libër, sepse më duket se të gjithë do të mësojnë diçka të re për Alexein. (Të gjithë) do të qeshin dhe do të qajnë nga pak. Ai ishte shumë frymëzues: i fortë dhe trim, i sjellshëm dhe me humor. Më i miri. Dhe më i dashuri", tha Yulia Navalnaya në rrjetin X.

Ekipi i zotit Navalny ka thënë se libri do të jetë i disponueshëm në rusisht, në gjuhën në të cilën ai e ka shkruar, por dërgimi i librit në atdheun e tij dhe në vendin fqinj Bjellorusi nuk do të jetë i mundur “pasi nuk mund të garantojmë transportin, apo se nuk do të ketë probleme në doganë”.

Kremlini dhe mediat shtetërore ruse nuk e përmendën publikimin e librit, ashtu siç patën vepruar edhe me shumë zhvillime të tjera në lidhje me zotin Navalny, emrin e të cilit Presidenti Putin dhe zyrtarë të tjerë të lartë pothuajse nuk e përmendën kurrë në publik./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat