Volkswagen do t’i mbyllë tri fabrika në Gjermani, thotë këshilli i punëtorëve

Evropë

Volkswagen do t’i mbyllë tri fabrika në Gjermani, thotë këshilli i punëtorëve

Më: 28 tetor 2024 Në ora: 16:33
Volkswagen

Volkswagen i ka njoftuar përfaqësuesit e punëtorëve se dëshiron t’i mbyllë të paktën tri fabrika në Gjermani, tha të hënën kryetarja e këshillit të punëtorëve të kompanisë, Daniela Cavallo.

Cavallo tha në një takim me punëtorët e Volkswagenit në selinë e kompanisë në Volfsburg se menaxhmenti ka për qëllim gjithashtu t’i shkurtojë vendet e punës në fabrikat e tjera, raportoi agjencia gjermane e lajmeve, DPA.

Ajo tha se “të gjitha fabrikat e VW janë të prekura nga këto plane. Askush nuk është i sigurt”.

Kompania nuk ka dhënë hollësi rreth planeve të saj. Por, shefi i personelit, Gunnar Kilian, tha në një komunikatë se “fakti është se gjendja është serioze dhe përgjegjësia e partnerëve negociuese është jashtëzakonshme e madhe”, raportoi DPA.

Volkswagen tha në fillim të shtatorit se ndryshimet në industrinë e automjeteve nënkuptojnë se kompania nuk e përjashton mundësinë e mbylljes së fabrikave në vend dhe se do të detyrohet të heqë dorë nga zotimi për mbrojtjen e vendeve të punës, i cili ka qenë në fuqi prej vitit 1994 dhe pritej të mbetej i tillë deri më 2029.

Shefi ekzekutiv i Volkswagenit, Oliver Blume, i përmendi konkurrentët, përkeqësimin e pozicionit të Gjermanisë si vend prodhues dhe nevojën për të “vepruar në mënyrë vendimtare”.

“Pa masa gjithëpërfshirëse për ta kthyer konkurrencën, ne nuk do të jemi në gjendje të bëjmë investime të mëdha në të ardhmen”, tha Kilian.

Prodhuesit evropianë të automjeteve janë duke u përballur me konkurrencë të madhe nga veturat elektrike kineze që kushtojnë lirë.

Volkswagen tha muajin e kaluar se rezultatet gjashtëmujore të kompanisë tregojnë se ajo nuk do ta arrijë cakun e saj prej 10 miliardë euro në ruajtjen e shpenzimeve deri në vitin 2026.

Volkswagen i ka 120.000 punëtorë në Gjermani, ku i ka 10 fabrika.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat