Katër të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë

Evropë

Katër të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë

Më: 29 tetor 2024 Në ora: 08:27
Ekipet e shpëtimit nxjerrin trupin e një personi të gjetur nën rrënojat e një shtëpie që u godit nga një sulm raketor rus në Harkiv, më 29 tetor 2024.

Bombardimet ruse kanë vrarë katër njerëz mëngjesin e së martës në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, njoftoi kryetari i qytetit Ihor Terekhov, në një mesazh në rrjetin social Telegram.

Sulmi në qarkun Osnoviansk të qytetit shkaktoi edhe dëme në infrastrukturën civile dhe në shtëpitë e banimit, sipas tij.

Ky ishte sulmi i dytë në këtë qytet brenda gjashtë orëve.

Nëntë njerëz u plagosën në sulmin e parë, i cili u krye ndaj qendrës së qytetit, ku u dëmtua një ndërtesë historike, tha Terekhov.

Në një sulm tjetër, dronët rusë goditën Kievin mëngjesin e së martës, duke i plagosur së paku gjashtë civilë, përfshirë një rëndë, tha Vitali Klitschko, kryetari i kryeqytetit ukrainas.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat