Prokurorët gjeorgjianë e kanë thirrur presidenten e vendit, Salome Zurabishvili, për të dëshmuar, pasi e nisën një hetim ndaj dyshimeve mbi manipulime në zgjedhjet e 26 tetorit, të cilat i fitoi partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane.
Presidentja Zurabishvili dhe opozita ngulin këmbë se ka pasur shkelje të mëdha në këto zgjedhje.
Një ditë më parë, presidenti amerikan, Joe Biden, shprehu shqetësimin e tij të thellë për regresin demokratik të Gjeorgjisë dhe bëri thirrje për hetim transparent ndaj dyshimeve për vjedhje votash.
Partia gjithnjë e më autoritare, Ëndrra Gjeorgjiane, e shpalli fitoren me pothuajse 54 për qind të votave, duke i nxitur mijëra njerëz të protestojnë kundër rezultatit zgjedhor, i cili, sipas tyre, u manipulua nga partia në pushtet përmes taktikave të stilit rus.
Vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve deklaruan se zgjedhjet u karakterizuan nga "një fushë e pabarabartë, presion dhe tension". Ata gjithashtu njoftuan për raste të regjistruara të blerjes së votave, votimit të dyfishtë, dhunës fizike dhe kërcënimit.
Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se hetimi ka nisur, pasi Zurabishvili deklaroi se zgjedhjet u shoqëruan me shkelje dhe refuzoi ta pranonte rezultatin e tyre.
"Presidentja Salome Zurabishvili duhet të ketë prova për falsifikimin e mundshëm të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024, në lidhje me të cilat, në përputhje me procedurat e përcaktuara me ligj, [ajo] është thirrur për t'u marrë në pyetje më 31 tetor", thuhet në njoftim.
Prokurorët janë zotuar se do t’i ndërmarrin "të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe proceduriale, siç përcaktohet në apelin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe me qëllim të shqyrtimit të akuzave të shprehura nga presidentja e Gjeorgjisë, përfaqësuesit e partive politike dhe misionet vëzhguese”.
“Si pjesë e hetimit, të gjithë personat që mund të kenë informacion mbi faktet e dyshuara penale do të merren në pyetje", thanë ata.
Zgjedhjet u mbajtën disa muaj pasi Ëndrra Gjeorgjiane e miratoi një ligj të diskutueshëm për “ndikimin e huaj”, të ngjashëm me ligjin rus për "agjentët e huaj," pavarësisht bojkotit të opozitës dhe protestave masive disamujore, që herë pas here u shtypën me dhunë. Ligji për kufizimin e të drejtave të komunitetit LGBT gjithashtu u miratua muajin e kaluar.
Zurabishvili, e cila ka qenë në konflikt me Ëndrrën Gjeorgjiane, por ka pushtet të kufizuara sipas Kushtetutës së Gjeorgjisë, i bëri thirrje Perëndimit në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 29 tetor që të ushtrojë trysni ndaj Tbilisit për ta mbajtur vendin në rrugën perëndimore.
Ajo nuk pranoi ta nënshkruante ligjin për "ndikimin e huaj" dhe i kundërshtoi masat për LGBT, vendime që u rrëzuan pastaj nga Ëndrra Gjeorgjiane për shkak se ajo e ka nën kontroll Parlamentin.
Në një komunikatë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, Biden gjithashtu tha se zgjedhjet "u shoqëruan me një numër të madh keqpërdorimesh të burimeve administrative si dhe frikësim dhe detyrim ndaj votuesve", duke shtuar se qytetarët gjeorgjianë kanë të drejtë të protestojnë paqësisht kundër rezultatit të zgjedhjeve.
Disa vende perëndimore, si Suedia dhe Kanadaja, i kanë kufizuar tashmë marrëdhëniet me Tbilisin si përgjigje ndaj shkeljeve të raportuara zgjedhore.
Në vitet e fundit, Ëndrra Gjeorgjiane ka filluar ta largojë gradualisht vendin e Kaukazit nga Perëndimi, pavarësisht se vendi fitoi statusin e kandidatit për BE në dhjetor 2023./REL