Kremlini ndjek me vëmendje garën Trump-Harris, peshon ndikimin që mund të ketë për Rusinë

Evropë

Kremlini ndjek me vëmendje garën Trump-Harris, peshon ndikimin që mund të ketë për Rusinë

Më: 30 tetor 2024 Në ora: 20:05
Vladimir Putin

Zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara kanë një peshë të madhe për Kremlinin. Nëse fiton, Nënpresidentja Kamala Harris, kandidate demokrate për presidente, ka të ngjarë të vazhdojë ndihmën ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën në luftën kundër agresionit rus, siç po bën Presidenti Biden. Ndërsa ish-Presidenti Trump ka përmendur shpesh raportet e tij të mira me udhëheqësin rus Vladimir Putin, duke thënë se kjo do ta ndihmonte atë t’i jepte fund luftës në Ukrainës.

I pyetur në shtator nëse ai preferonte Donald Trumpin apo Kamala Harrisin, udhëheqësi rus Vladimir Putin përmendi me ironi Presidentin Joe Biden.

“I preferuari ynë, nëse mund ta quani kështu, ishte presidenti aktual, zoti Biden”, tha ai para audiencës në një forum ekonomik në portin e Vladivostokut.

"Por ai u tërhoq nga gara dhe bëri thirrje për mbështetjen e kandidaturës së zonjës Harris. Ne do ta bëjmë këtë, ne do ta mbështesim atë", tha ai me sarkazëm, duke përmendur "të qeshurën e saj” që tregon se "ajo po bën fushatë të mirë.”

Zgjedhjet e së martës kanë një peshë të madhe për Kremlinin dhe pavarësisht përgjigjes ironike dhe disi ngacmuese të Putinit, ajo duket se përmblodhi pikëpamjen e Rusisë se zgjedhjet nuk ofrojnë alternativa të mira.

Analistët thonë se asnjëri kandidat nuk ka dhënë sinjale të forta për përmirësimin e marrëdhënieve, që kanë arritur pikën më të ulët që nga Lufta e Ftohtë.

Nënpresidentja Harris ka mbajtur një qëndrim të ashpër kundër Rusisë, ndërsa ish-Presidenti Trump njihet për admirimin që ka për Putinin. Megjithatë, në takimin e shtatorit, zoti Putin u ankua se kur zoti Trump ishte në detyrë, Shtetet e Bashkuara vendosën "më shumë kufizime dhe sanksione kundër Rusisë, se çdo president tjetër para tij".

Timothy Colton nga Akademia e Harvardit për Studimin e Çështjeve Ndërkombëtare tha se udhëheqja e Kremlinit është "në përgjithësi e bindur se asgjë e mirë nuk do të rezultojë nga zgjedhjet në këndvështrimin e Rusisë".

Por ai shtoi se në përgjithësi, zoti Trump "është ndoshta preferenca e tyre; ai është një figurë më e njohur".

Çështjet kryesore për Rusinë ndërsa zgjedhjet afrojnë:

Çfarë do të ndodhë me ndihmën për Ukrainën?

Nënpresidentja Harris ka gjasa të vazhdojë mbështetjen masive ushtarake dhe ekonomike të administratës së Presidentit Biden për Ukrainën, ndërsa agresioni i Rusisë po shkon drejt vitit të tretë.

Ish-Presidenti Trump është mburrur se raportet e tij me Putinin dhe respekti nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski janë aq të forta sa ai mund të negociojë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës “për 24 orë”. Ai nuk pranon të ofrojë detaje mbi strategjinë e tij, por komentet e fundit që kritikojnë sanksionet kundër Rusisë sugjerojnë se ai mund t'i heqë ato në këmbim të arritjes së një zgjidhjeje për konfliktin.

Gjatë debatit presidencial, zoti Trump dy herë refuzoi të përgjigjej drejtpërdrejt nëse ai dëshironte që Ukraina të fitonte luftën, ndërsa zonja Harris vlerësoi mbështetjen perëndimore për Kievin dhe kërkoi që ajo të vazhdojë.

“Përndryshe, Putini do të ulej në Kiev me sytë drejt pjesës tjetër të Evropës. Duke filluar nga Polonia”, tha ajo.

Kandidati republikan për nënpresident, senatori JD Vance, ka përmendur propozimin për çmilitarizim nga Ukraina të territoreve të pushtuara nga Rusia dhe arritjen e një marrëveshje për t’i dhënë status neutral të përhershëm këtyre rajoneve. Zoti Trump mund të ketë në mendje një zgjidhje të tillë. Kievi nuk do ta pranonte këtë, por zoti Trump ka treguar pak simpati për Ukrainën, duke thënë se Zelenski "nuk duhej të lejonte fillimin e luftës".

Nënpresidentja Harris nuk ka ofruar detaje se si do të ndryshonte qëndrimi i saj nga ai i Presidentit Biden. Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Ukrainës më shumë se 59.5 miliardë dollarë ndihma ushtarake dhe ekonomike që nga fillimi i sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë në 2022. Ajo ka thënë më parë se do të ishte marrëzi të rrezikonim aleancat globale, që Shtetet e Bashkuara i kanë krijuar dhe dënoi "brutalitetin" e Putinit.

Një fitore e zonjës Harris "ka të ngjarë të ofrojë një vazhdimësi të mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për sa kohë që do të sigurohej mbështetja e Kongresit", thotë një raport i Grupit Ndërkombëtar të Krizave. Në raport gjithashtu thuhet se ajo do të mund të kërkonte përfundimin e luftimeve në mënyrë më aktive sesa Presidenti Biden. Rritja e kundërshtimeve në Kongres ndaj shpenzimeve të mëdha për ndihmën ndaj Ukrainës mund të frenojë ose të ndryshojë strategjinë e saj.

Si mund të ndryshojë qasja e Shteteve të Bashkuara ndaj gjendjes së të drejtave të njeriut në Rusi?

Nënpresidentja Harris është përballur drejtpërdrejt me Rusinë për çështjet e të drejtave të njeriut, veçanërisht në rastin e vdekjes në burg të udhëheqësit të opozitës ruse, Alexei Navalny. Ajo ishte ndër udhëheqësit e parë të huaj që komentoi vdekjen e tij, duke e quajtur atë "një shenjë të mëtejshme të brutalitetit të Putinit".

Zoti Trump nuk bëri komente mbi këtë çështje për ditë të tëra dhe më pas nuk e lidhi Putinin me vdekjen e Navalnit. Ai e krahasoi dënimin e Navalnit me me sfidat e tij ligjore, duke thënë se ai po përballet me gjyqe që u ngjajnë atyre të Navalnit.

Ish-Presidenti Trump ka bërë thirrje për miratimin e një ligji, që do të deklaronte ekzistencën e vetëm dy gjinive dhe është zotuar se nuk do t’i lejojë transgjinorët të marrin pjesë në garat e sportit për gratë, një qëndrim i ngjashëm me atë të Rusisë nën pushtetin e Putinit.

Karakterizimi i tij i demokratëve dhe rivalëve të tij si "armiku i brendshëm" është pak më i ndryshëm sesa shtypja intensive e opozitës nga autoritetet në Rusi.

Cili do të jetë ndikimi tek NATO?

Ish-Presidenti Trump ka pasur mosmarrëveshje me udhëheqësit e vendeve të tjera anëtare të NATO-s, duke u kërkuar atyre të përmbushnin objektivat e shpenzimeve në fushën e mbrojtjes. Ai paralajmëroi udhëheqësit e vendeve të NATO-s se ai jo vetëm që do të refuzonte të mbronte vendet që nuk i përmbushin ato objektiva, por se Rusia mund të "bëjë çfarë të dojë" me ato vende.

Zoti Trump gjithashtu ka vënë në pikëpyetje nenin mbi mbrojtjen reciproke të kartës së NATO-s, duke pyetur në një intervistë pse Shtetet e Bashkuara duhet të detyrohen të mbrojnë "njerëzit shumë agresivë" të Malit të Zi, një vend anëtar i NATO-s.

Zonja Harris thotë se angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s është "i hekurt". Ajo nuk është shprehur nëse do të mbështeste anëtarësimin e menjëhershëm të Ukrainës në NATO.

Zgjedhjet dhe marrëveshjet e kontrollit të armëve me Rusinë

Putini ka përmendur në mënyrë të përsëritur kërcënimin bërthamor në përpjekje për të frenuar mbështetjen e Perëndimit për Ukrainën.

Traktati “New START”, marrëveshja e fundit ende në fuqi për kontrollin e armëve bërthamore mes Moskës dhe Uashingtonit, do të skadojë në vitin 2026, një vit pas ardhjes në pushtet të administratës së re amerikane.

Presidenti Biden e rinovoi traktatin pak kohë pas marrjes së detyrës dhe zonja Harris, nëse i fiton zgjedhjet, pritet të bëjë të njëjtën gjë. Traktati “New START” kufizon numrin e platformave për lëshimin e raketave bërthamore ndërkontinentale.

Ndonëse nuk u tërhoq nga traktati, Rusia e pezulloi zbatimin e tij në vitin 2023 dhe Shtetet e Bashkuara u kundërpërgjigjën me masa, duke përfshirë ndërprerjen e ndarjes së informacionit mbi vendndodhjen dhe statusin e raketave.

Ish-Presidenti Trump, megjithëse ka paralajmëruar për kërcënimin e "ngrohjes bërthamore", kur ishte në detyrë ndërmori hapa për të çmontuar regjimin e kontrollit të armëve, duke përfshirë tërheqjen nga Traktati “INF” për armët bërthamore me rreze të mesme veprimi, i cili ndalonte dislokimin e raketat bërthamore dhe konvencionale me bazë tokësore, me rreze veprimi prej 500-5,500 kilometrash.

Gjatë mandatit të tij si president, zoti Trump bëri thirrje për një traktat të ri bërthamor, që do të përfshinte Rusinë dhe Kinën./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat