Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të heqin armët bërthamore nga vendet euroaziatike në mënyrë që të “krijohen kushte për dialog”.
“Ne nuk do të qëndrojmë mënjanë. Unë po u përgjigjem atyre që janë të shqetësuar sot për faktin se ne kemi armë taktike bërthamore të vendosura në territorin e Bjellorusisë”, ka deklaruar Lukashenko duke iu drejtuar Konferencës Ndërkombëtare të Minskut për Sigurinë Euroaziatike të enjten, raporton AP.
Duke komentuar raportet për trupat e Koresë së Veriut në Rusi, ai ka thënë se askush nuk ka parë asnjë koreano-verior në vijën e frontit me Ukrainën dhe akuzoi vendet perëndimore për “fryrje të këtij fakti” që mund të çojë në përshkallëzim.
“Për çfarë po e fryjnë? Për të bërë më në fund presion mbi Bashkimin Evropian dhe për të futur trupat e NATO-s në këtë konflikt. Përndryshe, do të ketë humbje”, ka thënë Lukashenko duke shtuar se të dyja palët e konfliktit duhet të “ulen në tryezën e bisedimeve pa asnjë parakusht”.