Gjatë një forumi të sigurisë në Minsk, ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, ka kritikuar ashpër sanksionet e Bashkimit Evropian të vendosura ndaj Bjellorusisë dhe Rusisë. Ai tha se duhet dialog e jo izolim.
Vizita e 31 tetorit paraqet një angazhim të rrallë të Hungarisë me Bjellorusinë, e cila është nën sundimin autoritari të Alyaksandr Lukashenkas, veçmas pasi regjimi i Lukashenkas ka shtypur me forcë disidencën, pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale të vitit 2020.
Szijjarto kundërshtoi ashpër sanksionet që shënjestrojnë Rusinë për shkak të luftës që Moska nisi kundër Ukrainës më 2022, dhe sanksioneve kundër Bjellorusisë për shkak të shtypjes së opozitës dhe mbështetjes që Minsku i jep Moskës.
“Ne nuk pranojmë asnjë kufizim ndaj atyre me të cilët ne bashkëpunojmë. Neve nuk na pëlqen politika e sanksioneve”, tha ai.
Gjatë adresimit në rusisht, Szijjarto sinjalizoi se synon të angazhohej drejtpërdrejt me audiencën e pranishme në forum duke thënë “është nder për mua të kthehem në Minsk” dhe duke thënë se shpreson se bisedimet gjatë vizitës së tij nuk do të kritikohen nga Brukseli.
Hungaria është anëtare e BE-së, por nuk mbështet sanksionet e vendosura nga blloku ndaj Rusisë. Kryeministri hungarez, Viktor Orban, vazhdimisht ka kritikuar BE-në për sanksionet ndaj Moskës dhe po ashtu ai mban raporte të mira me presidentin rus, Vladimir Putin./REL