Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë në Greqi, ku për shkak të një atentati me armë zjarri, ndërroi jetë fëmija 3 vjeç pasi plumbi e kapi në kokë.
Sipas medias greke ToVima, babai i të miturit, i cili ishte dhe shënjestra e këtij atentati, vetëm disa ditë më parë kishte dalë nga burgu.
Burimet e medias greke raportojnë se shkak i këtij atentati është bërë një konflikt midis dy familjeve, të cilat në vitin 2022 janë përfshirë po në dy incidente me armë zjarri, një në Koropi dhe një në Agios Panteleimonas.
Sakaq, nuk është sqaruar arsyeja përse shënjestra ka qenë në burg, por e gjithë ngjarja dyshohet të jetë zhvilluar për hakmarrje, nga e cila fatkeqësisht e pësoi i mituri 3 vjeç.
Kujtojmë se ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm, rreth orës 10:00 (me orën greke), në Markopoulo.
Autorët e ngjarjes, ende të paidentifikuar, i kanë bërë pritë makinës ku ndodhej familja, duke qëlluar me breshëri plumbash.
Një nga këto plumba ka depërtuar në xhamin e pasmë të automjetit, duke rezultuar fatal për jetën e 3 vjeçarit.
Më shumë se 20 gëzhoja janë gjetur në vendin e atentatit.
Vogëlushi u dërgua fillimisht në Qendrën Shëndetësore të Markopoulos dhe më pas në spitalin Aglaia Kyriakou, por fatkeqësisht nuk arriti të mbijetonte.