Rusia dënon me mbi 4 vjet burg ish punonjësin e konsullatës amerikane

Evropë

Rusia dënon me mbi 4 vjet burg ish punonjësin e konsullatës amerikane

Më: 2 nëntor 2024 Në ora: 19:50
Robert Shonov

Një gjykatë në lindjen e largët të Rusisë tha të premten se kishte dënuar zotin Robert Shonov, ish punonjës i konsullatës amerikane, nën akuzat për bashkëpunim të paligjshëm dhe të fshehtë me qeverinë amerikane për të dëmtuar sigurinë kombëtare të Rusisë. Gjykata tha se zoti Shonov u dënua me gati pesë vjet burg.

Shërbimi Federal i Sigurisë, FSB, e arrestoi shtetasin rus Robert Shonov në Vladivostok në maj të vitit 2023. FSB-ja e akuzoi atë se ishte paguar nga diplomatë amerikanë në këmbim të informacioneve të fshehta që ishin potencialisht të dëmshme për Rusinë. Shtetet e Bashkuara e dënuan të shtunën burgosjen duke e quajtur “një padrejtësi skandaloze”.

“Akuzat kundër zotit Shonov janë tërësisht fiktive dhe nuk kanë baza”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.

Një gjykatë në rajonin Primorsky në lindjen e largët të Rusisë konfirmoi përmes një deklarate të premten se e kishte shpallur fajtor zotin Shonov dhe e kishte dënuar me katër vjet e 10 muaj burg.

Në një video ku lexohet vendimi, e publikuar nga gjykata, shihet zoti Shonov brenda një kafazi ndërsa dëgjon fjalën e gjykatësit.

FSB-ja ruse publikoi një video në gusht të vitit 2023 që tregonte një rrëfim të supozuar nga zoti Shonov ku thoshte se dy diplomatë të lartë amerikanë, me seli në Moskë të dëbuar më pas nga Rusia, i kishin kërkuar atij që të mblidhte të dhëna në lidhje me përpjekjet e Rusisë për luftën në Ukrainë, aneksimin e territoreve të reja, mobilizimin ushtarak dhe zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Në videon e regjistruar nga FSB-ja, zoti Shonov tregonte se i ishte thënë që të mblidhte të dhëna “negative” për këto objektiva, që të studionte shenja të protestave popullore dhe t’i pasqyronte të dhënat në raportet e tij. Nuk është e qatë nëse ai ishte detyruar t’i bënte këto aludime.

Zoti Shonov punoi në Konsullatën e Përgjithshme të Shteteve të Bashkuara në Vladivostok për më shumë se 25 vjet. Në vitin 2021 Rusia dha urdhër për pushimin nga puna të personelit lokal që punonte për konsullatën amerikane.

Marrëdhëniet midis Moskës dhe Uashingtonit kanë rënë në nivelin më të ulët për dekada për shkak të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat