Rusia ka dërguar në orbitë 55 satelitë, përfshirë dy satelitë iranianë, teksa Moska dhe Teherani po vazhdojnë të thellojnë bashkëpunimin.
Raketa Soyuz, që u nis nga Lindja e Largët e Rusisë, barti këto satelitë, tha agjencia hapësinore ruse, Roscosmos.
Në total, Roscosmosi tha se në orbitë u dërguan 51 satelitë rusë, një pajisje ruso-kineze, një satelit i Rusisë dhe Zimbabvesë, si dhe dy satelitë iranianë.
Roscosmos tha se “ky është numër rekord i satelitëve rusë që janë dërguar njëkohësisht në orbitë”.
Dy satelitët pamorë dhe të komunikimit të Iranit – Kosvar dhe Hodhod – janë të dizajnuar dhe të ndërtuar nga kompania Omid Faza e Iranit. Satelitët synojnë të monitorojnë mjedisin dhe komunikimet në zonat e largëta.
Teherani tha se është hera e parë që Rusia ka dërguar në orbitë satelitë të prodhuara nga kompani private të Iranit.
Dy shtetet kanë thelluar raportet politike, ekonomike dhe ushtarake, teksa Rusia po vazhdon luftën e saj kundër Ukrainës. Thellimi i bashkëpunimit mes Moskës dhe Teheranit ka rritur shqetësimet në Perëndim.