“Po flasim për një vend jo mik. Jemi duke analizuar me kujdes gjithçka”, zëdhënësi i Kremlinit: Putin nuk ka në plan ta urojë Trump

Evropë

“Po flasim për një vend jo mik. Jemi duke analizuar me kujdes gjithçka”, zëdhënësi i Kremlinit: Putin nuk ka në plan ta urojë Trump

Më: 6 nëntor 2024 Në ora: 11:52
Presidenti rus Vladimir Putin

Presidenti rus Vladimir Putin nuk ka në plan të përgëzojë Donald Trump, tha zëdhënësi i Kremlinit, duke shtuar, “Të mos harrojmë se po flasim për një vend jo mik që është i përfshirë drejtpërdrejt dhe indirekt në luftën kundër shtetit tonë”.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Rusia po monitoron me kujdes informacionin mbi zgjedhjet në SHBA dhe nuk ka gjasa të japë një vlerësim zyrtar derisa të shohë “fjalë dhe veprime konkrete”.

“Ka ende disa pritje për të bërë, duke pasur parasysh se presidenti aktual i SHBA-së do të qëndrojë në detyrë për gati edhe një muaj e gjysmë”, tha Peskov në një konferencë të rregullt për shtyp të mërkurën.

Peskov theksoi “deklaratat e rëndësishme” nga Trump, duke përfshirë atë që Kremlini e quajti “dëshirën e tij për t’i dhënë fund politikave të vazhdueshme të zgjatjes së luftërave të vjetra dhe fillimit të luftërave të reja”.

“Ndërsa ai përgatitet për të hyrë, ose kur ka hyrë tashmë në Zyrën Ovale, ne e kuptojmë se ndonjëherë deklaratat marrin një ton tjetër. Prandaj, ne po analizojmë me kujdes gjithçka, po vëzhgojmë dhe do të nxjerrim përfundime bazuar në fjalë dhe veprime specifike”, tha Peskov.

“Ne kemi thënë në mënyrë të përsëritur se SHBA-ja është në gjendje të ndihmojë për t’i dhënë fund konfliktit. Sigurisht, kjo nuk mund të arrihet brenda natës.”

Kur u pyet nëse Trump mund të ofendohej nga mungesa e urimeve të Putinit, zëdhënësi i Kremlinit shtoi: “Është praktikisht e pamundur që marrëdhëniet të përkeqësohen më tej. Marrëdhëniet janë aktualisht në pikën e tyre më të ulët historike”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat