Udhëheqësi gjerman Olaf Scholz ka zëvendësuar ministrin e tij të Financave me sekretarin aktual të shtetit në kancelarinë Jorg Kukies, sipas mediave vendase.
Kukies, i cili punoi në Goldman Sachs për 17 vjet, konsiderohet një këshilltar i ngushtë i Scholz dhe i përket Partisë së tij Social Demokrate (SPD) të qendrës së majtë.
Politikani ka qenë më parë sekretar i shtetit për politikën e tregut financiar dhe politikën evropiane.
Bëhet e ditur se Kukies do të zëvendësojë ish-ministrin e Financave Christian Lindner, i cili u shkarkua nga koalicioni jopopullor qeverisës i vendit të mërkurën në mbrëmje.
Shkarkimi i tij e ka futur qeverinë në kaos politik me Partinë e Lirë Demokratike (FDP) të qendrës së djathtë të Linder që tërheq ministrat e saj dhe i ka lënë partitë pa një shumicë parlamentare.
Presidenti Frank-Walter Steinmeier vuri në dukje se është e rrallë që një qeveri në Gjermani të mos ketë shumicën përpara përfundimit të periudhës së saj legjislative.
Ai tha se kushtetuta e vendit kishte parashikuar dispozita për raste të tilla dhe se situata ishte një “krizë politike që ne duhet dhe do ta lëmë pas”, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Ministri i Ekonomisë Robert Habeck, i cili i përket partisë së Gjelbër, ka thënë se ministrat e tij do të qëndrojnë në detyrë deri në votim “në mënyrë që ta mbajnë vendin të aftë për të vepruar”.
Megjithatë, pa një shumicë parlamentare, koalicioni tashmë i dyanshëm do të duhet të mbledhë vota individuale nga partitë e tjera për të miratuar ligje.
Tensionet brenda koalicionit arrijnë kulmin
Linder u përplas me partnerët e tij të koalicionit për politikën ekonomike.
Çështja se si të mbyllet një “vrimë” borxhi në buxhetin e vendit nxori në sipërfaqe tensionet mes palëve gjatë verës.
Këto tensione arritën pikën këtë javë pasi Lindner publikoi një dokument ekonomik në të cilin disa nga kërkesat e tij – duke përfshirë shtyrjen e objektivave klimatike dhe kufizimin e shpenzimeve sociale – u refuzuan me vendosmëri nga kolegët e tij.
“Ai ka thyer besimin tim shumë herë”, tha Scholz, duke shtuar se ai besonte se ish-ministri i tij i Financave ishte më i shqetësuar për interesat e partisë së tij sesa për bashkëpunimin me partnerët e tij të koalicionit.
Lindner, nga ana e tij, tha se Scholz refuzoi të “njihte nevojën për një zgjim të ri ekonomik në vend”.
Ndryshe, koalicioni, i cili përfshin gjithashtu partinë ambientaliste të Gjelbërve, ka parë rënien e popullaritetit që nga prilli, pas grindjeve të ashpra të brendshme për çështje kyçe.
Sipas një sondazhi të kryer nga transmetuesi publik ARD, vetëm 14% e publikut gjerman ishte i kënaqur me qeverinë që nga tetori i këtij viti – vlerësimi më i ulët për një qeveri në pushtet në Gjermani në dekada.
Scholz ka bërë thirrje për një mocion votëbesimi më 15 janar, me zgjedhjet e përgjithshme të vendosura për në fund të marsit.
Megjithatë partitë e opozitës, duke përfshirë Unionin Demokratik Kristian (CDU), e kanë refuzuar.