Udhëheqësit e BE-së diskutojnë për sigurinë gjatë takimit në Budapest

Evropë

Udhëheqësit e BE-së diskutojnë për sigurinë gjatë takimit në Budapest

Më: 8 nëntor 2024 Në ora: 20:03
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, pas samitit joformal të BE-së në Budapest.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, tha se rizgjedhja e Donald Trumpit si president i Shteteve të Bashkuara ka krijuar “një situatë të re” për Evropën.

Ai këto deklarata i bëri në përmbyllje të samitit joformal në Budapest më 8 nëntor, teksa iu tha homologëve të tij nga Bashkimi Evropian që kontinenti nuk mund ta financojë vetë luftën në Ukrainë.

Udhëheqësit e BE-së përmbyllën një samit dyditor, në të cilin mbajtën diskutime për sigurinë e kontinentit dhe luftën e Rusisë kundër Ukrainës, pasi rizgjedhja e Trumpit ka rritur dyshimet për vazhdimin e mbështetjes së Uashingtonit për Kievin dhe për angazhimin e tij në mbrojtjen kolektive të NATO-s.

SHBA-ja është mbështetësja më e madhe e Ukrainës, në aspektin ushtarak dhe ekonomik, teksa BE-ja është në mesin e donatorëve më të mëdhenj. Shumica e udhëheqësve të BE-së kanë shprehur mendimin se duhet të vazhdohet mbështetja e fuqishme për Ukrainën.

Para samitit, Orban, i cili ka raporte miqësore me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe me Trumpin, tha për radion shtetërore hungareze se BE-ja duhet ta rimendojë qëndrimin e saj sa i përket ndihmës që i ofron Ukrainës, duke e quajtur konfliktin një “luftë të humbur”.

Amerikanët do të heqin dorë nga kjo luftë, pikë së pari, ata nuk do ta inkurajojnë luftën”, tha Orban, i cili ka penguar sanksionet e bllokut kundër Moskës.

Evropa nuk mund ta financojë vetë këtë luftë... Disa ende duan që të vazhdohet me dërgimin e parave në këtë luftë të humbur, por numri i atyre që qëndrojnë të heshtur.... të atyre që argumentojnë se ne duhet të përshtatemi me situatën e re, po rritet”, shtoi ai.

Por, kancelari gjerman, Olaf Scholz, shteti i së cilit është mbështeti kryesor evropian i Ukrainës, menjëherë reagoi duke thënë se blloku nuk ka ndryshuar qëndrim.

Rusia ka pushtuar Ukrainën dhe po e vazhdon këtë luftë me brutalitetin e njëjtë. Një gjë është shumë e qartë: Së bashku si BE, si evropianë, ne duhet të bëjmë çfarë kërkohet për sigurinë tonë. Kjo do të jetë e suksesshme vetëm nëse të gjithë kontribuojnë”, tha ai.

Në mbërritje të samitit, presidenti i Këshllit Evropian, Charles Michel, po ashtu riafirmoi mbështetjen e fortë të bllokur për Ukrianën.

Ne duhet ta forcojmë Ukrainën, ta mbështesim Ukrainën sepse nëse ne nuk e mbështesim atë, ky do të ishte një sinjal i gabuar që do t’i dërgohej Putinit, por po ashtu edhe regjimeve të tjera autoritare në mbarë botën”, tha ai.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili ishte në Budapest më 7 nëntor në mbledhjen e udhëheqësve evropianë, që u mbajt para samitit të BE-së, u bëri thirrje aleatëve të shtetit të tij që t’i japin Ukrainës më shumë armë.

Ka pasur zëra për nënshtrimin ndaj Putinit, për tërheqje, për bërjen e disa koncesioneve. Është e papranueshme për Ukrainën dhe do të ishte vetëvrasëse për të gjithë Evropën”, tha ai.

Ai po ashtu tha se propozimet që të arrihet një marrëveshje armëpushimi, para se të arrihet pajtim për garanci të sigurisë për Ukrainën, “janë shumë të rrezikshme”.

Teksa samiti i 8 nëntorit përfundoi, NATO lëshoi një deklaratë lidhur me dislokimin e trupave të Koresë së Veriut nga Rusia, duke e dënuar këtë dhe duke e cilësuar si “zgjerim të rrezikshëm” të luftës.

NATO tha se Koreja e Veriut veçse i ka ofruar “mbështetje përpjekjeve të luftës së Rusisë” duke i ofruar municione dhe raketa balistike”.

“Thellimi i bashkëpunimit ushtarak mes Rusisë dhe Koresë së Veriut ka ndikim të madh te siguria euroatlantike, me implikime edhe për Indo-Paqësorin”, tha NATO-ja, duke shtuar se ky bashkëpunim ushtarak shkel një sërë rezolutash të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Rusia dhe Koreja e Veriut nuk kanë pranuar se ushtarët koreanoveriorë janë dislokuar në Rusi, në përgatitje që të dërgohen në fushëbetejat në Ukrainë. Koreja e Jugut, SHBA-ja dhe Ukraina kanë thënë se mijëra ushtarë koreanoveriorë veçse janë në rajonet ruse që gjenden në kufi me Ukrainën./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat