Zonat bregdetare të Valencias në Alarm të kuq për reshje të dendura shiu, 2 javë pas përmbytjeve vdekjeprurëse

Evropë

Zonat bregdetare të Valencias në Alarm të kuq për reshje të dendura shiu, 2 javë pas përmbytjeve vdekjeprurëse

Më: 14 nëntor 2024 Në ora: 10:23
Foto ilustrim

Dy javë pasi përmbytjet vdekjeprurëse goditën Spanjën juglindore, shërbimi kombëtar meteorologjik i vendit (Aemet) i ka vënë zonat bregdetare të Valencias në alarm të kuq për shkak të reshjeve të dendura që parashikohen të bien.

“Shmangni udhëtimet. Mund të ketë vërshime”, theksoi Aemet. Alarmi i kuq u aktivizua dje të mërkurën në orën 21:00 dhe do të jetë i vlefshëm deri sot në orën 12:00.

Sipas Aemet, deri në 180 mm shi mund të bien në hapësirën e 12 orëve në zonat bregdetare të Valencias. Për këtë arsye autoritetet kanë njoftuar kufizime të udhëtimit ndërsa mësimet në shkolla janë pezulluar për sot në më shumë se 100 komunitete. Këto janë disa nga zonat e prekura nga përmbytjet vdekjeprurëse të 29 tetorit, të cilat morën jetën e të paktën 223 personave.

Lëvizjet lejohen vetëm në rastet e “forcës madhore”, tha për X kreu i rajonit të Valencias, Carlos Mazzon , i cili është kritikuar rëndë për mungesën e reagimit dhe menaxhimin kaotik të përmbytjeve të mëparshme. Këto masa janë “emergjente” dhe synojnë “të garantojnë sigurinë e qytetarëve”, shpjegoi ai.

Për shkak të shiut të rrëmbyeshëm, shërbimet e trenave ndërmjet Barcelonës dhe Valencias janë pezulluar, ndërsa rifillimi i planifikuar i shërbimeve ndërmjet Madridit dhe Valencias sot në mëngjes është shtyrë, njoftoi Ministria spanjolle e Transportit.

Alarmi i kuq do të thotë se pritet mot “jashtëzakonisht intensiv”, që paraqet një “nivel shumë të lartë rreziku për qytetarët”, shpjegoi Aemet.

Për shkak të kësaj “rënieje të re të ftohtë” — një fenomen i izoluar barometrik i ulët në lartësi të madhe, mjaft i zakonshëm në vjeshtë në bregun e Mesdheut të Spanjës — Aemet e vuri gjithashtu Malagën, në alarm të kuq deri në orën 09:00 të mëngjesit të sotëm.

“Málaga është e paralizuar sot,” tha presidenti rajonal Andaluzian Juan Manuel Morena gjatë një vizite në Sevilje. “Të parandalosh është më mirë se të kurosh, e pamë në Valencia”, theksoi ai.

Shumë rrugë në Sevilje janë përmbytur, metroja është pezulluar, shumë fluturime janë anuluar ose devijuar drejt aeroporteve të tjera dhe lidhja hekurudhore me Madridin është ndërprerë. Më shumë se 4200 njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre për arsye sigurie.

Ndërkohë alarmi i kuq i lëshuar dje për rajonin e Tarragona (në Katalonjë) është reduktuar në ngjyrë portokalli.

Në Paiporta, epiqendra e tragjedisë së 29 tetorit, banorët që prej të mërkurës kishin krijuar argjinatura të improvizuara, duke vendosur thasë me rërë para dyerve të shtëpive, me frikën se kanalizimet ende të mbushura me baltë do të vërshojnë.

Për arsye paraprake, shumë komunitete në rajon u kërkuan mijëra vullnetarëve që shkojnë çdo ditë për të ndihmuar banorët të hapin rrugët, të mos shkojnë në zonat e prekura.

Gjithashtu dje janë dërguar disa mesazhe paralajmëruese në celularët e banorëve të zonave ku priten reshje të dendura shiu, pas kritikave të marra nga autoritetet e Valencias për vonesën në dërgimin e mesazheve përkatëse më 29 tetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat