Protestuesit ia mësyjnë Parlamentit në Abkazi të Gjeorgjisë për shkak të një ujdie me Rusinë

Evropë

Protestuesit ia mësyjnë Parlamentit në Abkazi të Gjeorgjisë për shkak të një ujdie me Rusinë

Më: 15 nëntor 2024 Në ora: 16:30
Qindra protestues u mblodhën pranë Parlamentit lokal në Sukumi më 15 nëntor, Gjeorgji.

Protestuesit e udhëhequr nga opozita në rajonin e shkëputur të Gjeorgjisë, Abkazi, janë futur vrullshëm brenda oborrit të Parlamentit lokal në Sukumi, kryeqytetin rajonal, në përpjekje për t’i detyruar ligjvënësit ta shfuqizojnë një marrëveshje kontroverse me Moskën, e cila u jep përparësi sipërmarrësve rusë të ndërtimit.

Sipas mediave vendëse, përpjekjet për ta ratifikuar marrëveshjen më 15 nëntor dështuan, pasi protestuesit u futën në oborrin e Parlamentit.

Por, kjo nuk i ndaloi protestuesit, të cilët tani duan një seancë të re parlamentare për të votuar për shfuqizimin e plotë të marrëveshjes.

“Kundërshtimet po rriten, dhe ka rrezik që të ketë gjakderdhje”, shkroi Nuzhnaya Gazeta në Telegram.

Sipas mediave vendëse, policia dhe qindra protestues u përleshën, pasi dyshohet se forcat e sigurisë përdorën gaz lotsjellës për ta shpërndarë turmën. Nuk është raportuar për të lënduar apo arrestuar.

Zyra për shtyp e liderit të Abkazisë, Aslan Bzhania, tha se administrata e tij është duke e përdorur një dokument për tërheqjen e projektligjit nga Parlamenti.

Por, protestuesit thanë se nuk do të largohen para se Bzhania të japë dorëheqje.

Tensionet janë rritur dukshëm në javët e fundit në këtë rajon, pasi aktivistët opozitarë janë duke kërkuar t’i japin fund mbizotërimit të Rusisë në këtë rajon dhe në ekonominë e tij, edhe pse partitë opozitare thanë më 15 nëntor se protesta e tyre nuk është kundër Rusisë.

“Veprimet e protestave nuk janë kundër marrëdhënieve mes Rusisë dhe Abkazisë”, thanë ato në një komunikatë.

Ato thanë se janë të zemëruara me Bzhanian, të cilin e akuzojnë se i përdor lidhjet me Moskën “për përfitimet e veta gjatë gjithë kohës së tij në pushtet”.

Abkazia dhe Osetia Jugore u shkëputën nga Gjeorgjia pas rënies së Bashkimit Sovjetik në fillim të viteve ’90.

Moska e njohu pavarësinë e dy rajoneve pasi forcat ruse e zmbrapsën një tentim të Gjeorgjisë për ta rimarrë Osetinë Jugore gjatë një lufte pesëditore në verën e vitit 2008, e cila mbaroi me disfatën e Gjeorgjisë.

Shumica e vendeve ende e njohin Abkazinë si pjesë të Gjeorgjisë, por ekonomia e saj është pothuajse tërësisht e varur nga Moska, e cila ua paguan rrogat administratës publike dhe përfitimet sociale banorëve të saj./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat