Ministri kroat i shëndetësisë arrestohet dhe shkarkohet nën dyshimet për korrupsion

Evropë

Ministri kroat i shëndetësisë arrestohet dhe shkarkohet nën dyshimet për korrupsion

Më: 15 nëntor 2024 Në ora: 20:38
Ministri kroat i Shëndetësisë Vili Berosh shihet duke u përshëndetur me Ministrin francez të Shëndetësisë Olivier Veran më 6 mars, 2020.

Ministri kroat i Shëndetësisë Vili Berosh u shkarkua të premten dhe më pas u arrestua nën dyshimet për korrupsion, sipas Kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenkoviç.

Avokatja e ministrit Berosh, Laura Valkoviç u tha mediave vendore se klienti i saj i mohon akuzat. Ministria e Shëndetësisë refuzoi të komentojë.

Kryeministri kroat e bëri njoftimi pasi Zyra për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (USKOK) tha se po bënte disa arrestime.

Zyra e Prokurorit Publik Evropian gjithashtu tha se ka nisur një hetim kundër tetë personave, përfshirë ministrin Berosh dhe drejtorët e dy spitaleve në Zagreb që lidhet me pretendimet për ryshfet, abuzim të detyrës dhe pastrim parash.

Prokurori shtetëror i Kroacisë, Ivan Turudiç, zyra e të cilit punon ngushtë me USKOK-un tha se bëhet fjalë për dy hetime që po ndodhin paralelisht për krimet e pretenduara dhe se prokurorët evropianë nuk e kishin njoftuar zyrën e tij apo USKOK-un për hetimet e tyre.

Zyra e Prokurorit Publik Evropian tha se një grup kriminal që po përpiqej të siguronte financimin për shitjen e pajisjeve mjekësore robotike në disa spitale, dyshohet se u ka dhënë ryshfet zyrtarëve në përpjekje për të fituar kontratat për projektet, përfshirë ato që financoheshin nga Bashkimi Evropian.

Përmes një deklarate dërguar agjencisë Reuters me postë elektronike, Zyra e Prokurorit Publik Evropian konfirmoi se nuk i kishte njoftuar autoritetet kroate për hetimet e saj, të cilat i kishte filluar në muajin korrik, duke shtuar se kishte kërkuar nga Zyra e Prokurorit Shtetëror t’ia transferonte rastin prokurorëve evropianë.

Prokurori shtetëror Turudiç tha se Ministri Berosh përdori autoritetin e tij për të ndikuar. Ai tha se dy persona të tjerë janë arrestuar dhe një entitet ligjor do të hetohet nën dyshimet se ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit.

Të ndaluarit do të dalin para një gjykatësi hetues, i cili do të vendosë nëse do të mbahen nën arrest deri në fillimin e gjykimit, deklaroi zoti Tuduriç.

“Është e qartë që bëhet fjalë për veprën penale të korrupsionit”, deklaroi Kryeministri Plenkoviç. “Në emër të qeverisë, dua të them që agjencitë e autorizuara për përndjekje penale duhet të hetojnë çdo gjë”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat