Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministri francez Michel Barnier aktualisht po përballen me probleme të ngjashme: ata duan të veprojnë politikisht, por nuk mund të marrin (më) para nga parlamenti për planet e tyre. Asambleja Kombëtare në Paris refuzoi me shumicë të madhe pjesën fillestare të projekt-buxhetit për vitin 2025, që ka të bëjë me të ardhurat. Blloku qeveritar dhe deputetët e krahut të djathtë e hodhën poshtë propozimin me 392 vota kundër, ndërsa pro ishin 192. Ishte rezultat i një debati dyjavor në të cilin aleanca e majtë, e cila përfaqëson bllokun më të madh politik në parlament, e përshtati propozimin e qeverisë me ndryshime në përputhje me interesat e saj.
Ndryshimet e propozuara përfshinin një taksë mbi pasurinë e miliarderëve, një taksë mbi super dividendat e korporatave të mëdha, një taksë për kompanitë multinacionale dhe një taksë më të lartë për kompanitë digjitale, si dhe një taksë të re për motoçikletat veçanërisht të zhurmshme. Nga ana tjetër, deputetët hodhën planet e qeverisë për taksën më të lartë për ngrohëset elektrike dhe gazin – e planifikuar nga qeveria.
Gjermania dhe Franca: me apo pa buxhet?
Buxheti i shtetit përfaqëson programin e qeverisë të shprehur në shifra. Pikërisht në kohë të trazuara, Berlinit dhe Parisit i mungojnë buxhetet. Ndërsa Michel Barnier, pavarësisht humbjes së tij në votim, ende mund të shpresojë për një buxhet të rregullt për vitin 2025, qeveria aktuale e pakicës në Berlin nuk e ka më atë mundësi. Më e shumta që mund të miratohej me mbështetjen e opozitës para shpërbërjes së Bundestagut është ribalancimi i buxhetit për vitin 2024.
Ky ribalancim u bë i nevojshëm sepse qeverisë i mungojnë fondet për këtë vit: për kosto shtesë prej 3.7 miliardë euro për asistencë sociale për qytetarët dhe më shumë se dhjetë miliardë euro për investime shtesë në burimet e rinovueshme të energjisë. Deri në fund të vitit, qeveria duhet të gjejë paratë ose të vendosë një ngrirje të shpenzimeve buxhetore.
Berlini dhe Parisi të dobësuar karshi Brukselit dhe Uashingtonit
Kur Donald Trump të hyjë në Shtëpinë e Bardhë për herë të dytë më 20 janar, Bundestagu do të jetë, sipas të gjitha gjasave, i shpërbërë. Më pak se pesë javë më vonë, më 23 shkurt, gjermanët do të votojnë për të zgjedhur një parlament të ri. Formimi i qeverisë, në varësi nga rezultatet e zgjedhjeve, mund të zgjasë deri në pranverë.
Edhe pas shpërndarjes së parlamentit, falë vendimit të presidentit federal, Gjermania do të kishte një kancelar dhe ministra, por ata do të kishin vetëm një mandat teknik. Në këtë fazë kalimtare, ata nuk duhet të marrin vendime të rëndësishme.
Vetëm qeveria e re do të jetë në gjendje të negociojë me administratën e re Trump ose të marrë vendime në nivelin e Bashkimit Evropian. Deri atëherë mbetet vetëm në pritje. Ndoshta një lehtësim, sepse "koalicioni i pasuksesshëm" konsiderohej një partner i vështirë në Bruksel në vitet e fundit. Në disa raste, si votimi i ligjit të BE-së për zinxhirët e furnizimit dhe rregullat për shkarkimin e gazit për kamionët, qeveria gjermane shmangu vendime të vështira duke votuar përmes të ashtuquajturës "vota gjermane", pra me abstenim.
Detyrë dramatike në Francë
Në samitet e BE-së në Bruksel ose në Shtëpinë e Bardhë, Franca përfaqësohet nga Presidenti Emmanuel Macron. Por në punën e përditshme politike në këshillat ministrorë të BE-së, qeveria e kryeministrit Michel Barnier nga Partia Republikane konservatore (LR) luan një rol kyç. Presidenti Macron emëroi politikanin 73-vjeçar pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura gjatë verës, pasi aleanca e tij politike, pësoi një rënie të madhe në mbështetje. Megjithatë, edhe të bashkuar, aleanca presidenciale dhe LR nuk kanë shumicën në Asamblenë Kombëtare.
Për më tepër, pas pak më shumë se dy muajsh në detyrë, partnerët ende nuk kanë një program të detyrueshëm qeveritar – e mosmarrëveshjet ndodhin rregullisht. Megjithatë, dështimi i buxhetit të vitit 2025 në Asamblenë Kombëtare mund të shkojë në favor të kryeministrit. Tani propozimi origjinal i qeverisë dhe jo drafti i ndryshuar do të arrijë në dhomën e dytë parlamentare.
Kursimet e planifikuara për përfitimet sociale, në administratën publike - gjithsej rreth 60 miliardë euro për vitin buxhetor 2025 - mund të kalojnë më lehtë në Senatin konservator sesa në Asamblenë Kombëtare.
Në qershor, Komisioni Evropian nisi procedurat për shkak të borxhit të lartë të Francës. Edhe agjencitë e vlerësimit po e monitorojnë situatën. Me një deficit prej gjashtë për qind të PBB-së këtë vit dhe një borxh prej 113 për qind të PBB-së, gjendja e buxhetit është dramatike.
Votëbesimi dhe mosbesimi
Menjëherë pasi kancelari gjerman Olaf Scholz të shtrojë çështjen e votëbesimit në Bundestag më 16 dhjetor, mund të vendoset edhe fati i homologut të tij francez. Sipas planit aktual, buxheti i Francës për vitin 2025 do të lërë një komision ndërmjetësimi me përfaqësim të barabartë të të dy dhomave parlamentare javën e fundit para Krishtlindjes. Pas kësaj, Kuvendi Kombëtar duhet të marrë vendimin përfundimtar.
Nëse qeveria përdor nenin 49.3, opozita ka 24 orë për të paraqitur një kërkesë për mosbesim. Nëse kjo kërkesë merr shumicën, qeveria do të duhej të jepte dorëheqjen dhe propozimi i buxhetit do të hidhej poshtë. Nëse ky skenar realizohet, dy ekonomitë më të mëdha të BE-së do të përballen me një buxhet të përkohshëm dhe do të jenë të paralizuara. Menaxhimi i përkohshëm në të dyja rastet kufizohet me detyrime të përcaktuara ligjërisht dhe shërben vetëm për sigurimin e funksioneve bazë të shtetit. Pagat, pensionet dhe përfitimet sociale do të financohen, por projektet politike do të mbeten pezull.
Kancelari Olaf Scholz dhe homologu i tij francez Michel Barnier do të takohen javën e ardhshme në Berlin. Barnier do të vijë për herë të parë si kryeministër. Mund të ndodhë që ky të jetë edhe takimi i tyre i fundit në këto poste./DW