Rezultatet e hulumtimit të hapësirës mediale në Serbi tregojnë se raportimi pozitiv për Rusinë dhe Kinën, ndërsa ai negativ për Ukrainën dhe Perëndimin, është dominues në mediat vendase.
Analizat tregojnë se dezinformatat ruse për luftën në Ukrainë janë forma më e rëndësishme e ndikimit të propagandës së huaj në Serbi.
“Skena mediale anon drejt pozicioneve pro ruse dhe interpretimit rus të konflikteve dhe marrëdhënieve botërore, jo vetëm për luftën në Ukrainë, por edhe për politikën e jashtme amerikane dhe motivet e politikave perëndimore ndaj Serbisë. Në këtë kontekst, kjo nuk është ndonjë surprizë e madhe, lufta në Ukrainë vetëm sa ka përforcuar dhe zbuluar më tej këndvështrimin pro rus ndaj zhvillimeve globale”, ka thënë Dimitrije Milliq nga Organizata “Mënyra e Tretë e Re”.
Përveç propagandës mediale ruse, në Serbi promovohen edhe lidhjet politike me Kremlinin.
Pavarësisht thirrjeve të Bashkimit Evropian, vend kandidat i të cilit është, Serbia refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë, dhe ti zbaton politikat e përbashkëta të BE-së.
Por, a mund të vazhdojë Serbia të vendos balanca mes Lindjes dhe Perëndimit, ndërsa synon integrimet evropiane?
“Propaganda ruse është e pranishme në të gjitha shtetet ku ka mundësi. Megjithatë, në Serbi nuk bëhet fjalë vetëm për propagandë, është një sinergji interesash mes qarqeve të inteligjencës së të dyja vendeve. Me fjalë të tjera, nuk ka nevojë që këtu të kryhet propagandë ruse, ajo është e natyrshme në vetvete dhe shërben për ruajtjen e një sistemi që mbron individët e lidhur me krimet e luftës të viteve '90. Korrupsioni dhe varësia e sistemit të drejtësisë mbajnë këtë status quo”, ka thënë Mio Kapor, ekspert për marrëdhënie ndërkombëtare.
Edhe mediat ruse, si RT Ballkani, vazhdojnë të funksionojnë lirisht në Serbi. Reporterët pa Kufij kanë bërë thirrje që BE-ja të kërkojë përgjegjësi nga Serbia, por ndryshimet ende mungojnë.
Megjithatë, ndikimi i këtyre mediave në Serbi nuk është shumë i madh. Televizionet kombëtare pro qeveritare janë kanalet kryesore për përhapjen e propagandës pro ruse, gjë që e veçon Serbinë nga pjesa tjetër e Evropës.