Rusia ka kryer një nga sulmet më të mëdha të saj ajrore në Ukrainë, tha ministri i Jashtëm ukrainas më 17 nëntor. Dronët dhe raketat kanë shënjesturar infrastrukturën e energjisë dhe infrastrukturën civile në qytetet në mbarë vendin, duke detyruar Poloninë fqinje që të aktivizojë avionët luftarakë për të monitoruar situatën.
“Rusia ka kryer një nga sulmet më mëdha ajrore: dronët dhe raketat janë lëshuar drejt qyteteve paqësore, civilëve që po flinin dhe ndaj infrastrukturës kritike. Kjo është përgjigja e vërtet e kriminelit të luftës [presidentit rus, Vladimir] Putinit, për të gjithë ata që e kanë telefonuar dhe e kanë vizituar së voni. Na duhet paqe përmes forcës, jo përmes zbutjes së qëndrimit”, shkroi në X ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha.
Shpërthime u raportuan mëngjesin e 17 nëntorit në kryeqytetin ukrainas, Kiev, por edhe në qytete të tjera në mbarë Ukrainën, përfshirë në Odesa në Detin e Zi dhe në qytetin juglindor të Zaporizhjës.
Raketat ruse kanë goditur infrastrukturën e energjisë në mbarë Ukrainën, duke detyruar autoritetet që të nisin ndërprerjet e energjisë, tha ministri ukrainas i Energjisë, Herman Halushchenko.
Sulmi masiv vjen teksa pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës po shkon drejt ditës së 1.000. Rusia ka shpenzuar sasi të mëdha armësh dhe ka humbur shumë njerëz për të bërë përparim të vogël, por të qëndrueshëm territorial dhe deri më tani ka nën kontroll pothuajse një të tretën e territorit të Ukrainës.
Ukraina, ndërkaq, po përballet me vështirësi që të minimizojë humbjet, të mbajë lart moralin dhe të bindë aleatët se me më shumë ndihmë ushtarake mund ta kthejë rrjedhën e luftës në favor të saj. Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka thënë se ai do t’i japë fund luftës shumë shpejt, edhe pse nuk është e qartë se si do ta arrijë këtë.
Sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës më 17 nëntor shtyn Poloninë që të ngrinte në qiell avionët luftarakë.
“Për shkak të sulmit masiv që Federata Ruse ka kryer duke përdorur raketa lundruese, raketa balistike dhe dronë, avionët polakë dhe të aleatëve kanë nisur të operojnë në hapësirën tonë ajrore”, tha komanda operacionale e forcave të armatosura të Polonisë, shtetit anëtar të NATO-s.
Kjo komandë tha se “kemi aktivizuar të gjitha forcat dhe burimet në dispozicion, avionët luftarakë janë ngritur në qiell dhe sistemet e mbrojtjes ajrore dhe radarët janë në gjendjen më të lartë të gatishmërisë”.
Ministri ukrainas i Energjisë, Halushchenko tha në Telegram se “po vazhdon një sulm masiv ndaj sistemit tonë të energjisë”, duke shtuar se forcat ruse “po sulmojnë infrastrukturën e prodhimit të energjisë dhe linjat e transmisionit në mbarë Ukrainën”./REL